Prokuroria zbardh detaje nga ngjarja tragjike në Kosovë: Bashkëshorti ka qëlluar gruan me armë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka dhënë detaje të reja për ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e 23 gushtit në Kërvasari të Malishevës, ku një 25-vjeçare shtatzënë humbi jetën pasi u plagos me armë zjarri.

Sipas Prokurorisë, bashkëshorti i viktimës është personi i dyshuar për ngjarjen. Edhe ai ka mbetur i plagosur rëndë dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën, duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ngjarja u raportua pasi Policia e Kosovës u njoftua për të shtëna me armë zjarri. Pas mbërritjes në banesë, zyrtarët policorë gjetën çiftin të plagosur në një dhomë gjumi.

Të dy u dërguan për trajtim në QKUK, por 25-vjeçarja nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra. Sipas autoriteteve, ajo ishte në javën e 34-t të shtatzënisë.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve dhe masave reanimatore, e reja ndërroi jetë në spital.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ku do t’i nënshtrohet autopsisë.

Në vendngjarje u gjet dhe u sekuestrua arma

Prokuroria ka bërë të ditur se rasti po hetohet për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se lidhet me rastin.

Prokurori i Shtetit ka dalë në vendngjarje, ndërsa hetuesit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po mbledhin prova dhe po ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore.

Rrethanat dhe motivi ende të paqarta

Deri tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur dinamikën e plotë të ngjarjes, përfshirë mënyrën se si kanë ndodhur të shtënat dhe motivin e mundshëm.

Prokuroria e konsideron bashkëshortin të dyshuar për rastin, ndërsa rrethanat e plota mbeten objekt i hetimit.

Autoritetet pritet të japin më shumë detaje pas përfundimit të veprimeve të para hetimore dhe sqarimit të rrethanave që çuan në këtë ngjarje tragjike.

The post Prokuroria zbardh detaje nga ngjarja tragjike në Kosovë: Bashkëshorti ka qëlluar gruan me armë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: