Prapaskenat e ikjes së Bajramit, e dredhat e brazlianit Sylvinho: “Nuk ndihem fajtor”

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

“Nuk ndjej faj, mundohem të bëj më të mirën, kam një staf të shkëlqyer që punon çdo ditë në Federatë”. Sylvinho heq nga supet çdo përgjegjësi për largimin e Adrian Bajramit, që zgjodhi në fakt Zvicrën, sepse braziliani nuk e aktivizoi kurrë asnjë minutë në ndeshje zyrtare prej 3 vjetësh. Tekniku madje provon të kundërsulmojë edhe pse jo bindshëm: “Ai kishte shumë probleme te Benfika, nuk luante, ndonjëherë e afruam në ekip. Kam folur me të herën e fundit në qershor të jem i sinqertë, ndonjëherë edhe për situata taktike, që janë private. E mbaj për vete. Të shtunën fola për 30 minuta dhe këtë e mbaj për vete gjithashtu”.

Prapaskenat e çështjes Bajrami

23 vjeçari mund të mos ketë luajtur shumë te Benfica, por më parë luante në ekipin B të luzitanëve. Aq më tepër që edhe lojtarë të tjerë nuk kanë luajtur, sa për të përmendur Strakosha apo Hysaj, por jo vetëm që kishin minuta, por ishin titullar. Kështu që, ndonjë minutë në ndeshje të sigurta si ajo me Andorrën, Bajrami edhe mund të kishte.

Lexo më tej: “Çdokush bën zgjedhjet e veta”: Bajrami shkoi te Zvicra, Kumbulla i bën dalje

Sidoqoftë, Sylvinho ka treguar prapaskenat e asaj që ndodhi: “Kishim një listë pritje, që me 17 gusht, dy javë më vonë nuk kisha asnjë përgjigje. Një ditë më vonë, pas konferencës, dikush nga federata më telefonoi dhe më tha që Bajrami ka zgjedhur të ndërrojë federatën. Ishte të shtunën, fola me të rreth 30 minuta me telefon, gjithçka është qartësuar. Asgjë më shumë se kaq, kjo është e vërteta”.

Elozhe për Simonin e harresa e Berishës

Braziliani pastaj nis elozhet për një portier që nuk luan as me Kaizerslautern, duke mos përmendur faktin që nuk ka thirrur Etrit Berishën: “Sot morëm Simonin, erdhi për të zëvendësuar Kastratin. Një javë më parë, fola me Kastratin ishte e vështirë por erdhi këtu. Dje kishim një stërvitje dhe nuk ishte në 100% ndaj morëm Simonin. Besoj te ai, e mora në Europian, kaloi një muaj me ne, ishte një atmosferë e jashtëzakonshme”.

Situata e Brojës

Sylvinho pastaj u kujdes të mbyllte edhe një tjetër çështje, atë të grumbullimit të Brojës, pavarësisht se sulmuesi nuk është gati ende, gjë që braziliani e kundërshtoi: “Broja është në rregull, nuk ka asnjë problem. Broja e di që është e rëndësishme që të vazhdojë të luajë, flas për jetën, karrierën e klubin. Ai është i ri, ndaj është e rëndësishme të shkojë në fushë, të ndihmojë ekipin, të shijojë lojën, të marrë eksperiencë. Ai ka ndryshuar në ditët e fundit, është një jetë e re. Ai po jeton në Angli, por është klub i ri e metodologji e ndryshme, ai ka luajtur disa minuta, nuk është maksimumi i tij. Por po bëhet mirë e më mirë, nuk ka asnjë problem fizik, është në rregull”.

The post Prapaskenat e ikjes së Bajramit, e dredhat e brazlianit Sylvinho: “Nuk ndihem fajtor” appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: