Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Strategjia e Donald Trump për “America First”, me tarifa të larta, proteksionizëm dhe një politikë të jashtme të përqendruar tek interesi i brendshëm amerikan, po trondit rendin botëror. Pikërisht këtë javë, në Pekin, u pa qartë se si bota po rreshtohet ndryshe.
Presidenti kinez Xi Jinping, përkrah Vladimir Putinit dhe Kim Jong Un-it, drejtoi paradën më të madhe ushtarake në historinë e Kinës, duke e kthyer përkujtimin e fitores mbi Japoninë në një mesazh të fuqishëm: epoka e dominimit amerikan tashmë po sfidohet hapur.
Në Uashington, Trump tha se e kishte parë shfaqjen. “Ata shpresonin që unë po shihja, dhe unë po shihja,” u shpreh ai, duke e quajtur “shumë, shumë mbresëlënëse”. Por pak orë më vonë, në rrjetin Truth Social, akuzoi Xi, Putinin dhe Kimin se po “konspironin kundër SHBA-së”.
Politika tregtare e Trump, me tarifa të ashpra ndaj Kinës, Indisë dhe aleatëve tradicionalë, ka sjellë lëvizje të papritura. Xi dhe Putini u panë në Pekin edhe me kryeministrin indian Narendra Modi, një shenjë se rivalitetet e vjetra Kinë-Indi po zbuten përballë presionit amerikan.
Sipas BBC, ekspertët e shohin këtë si një ilustrim se si tarifat amerikane po krijojnë aleanca të reja që sfidojnë rendin e pas Luftës së Dytë Botërore.
Ndërsa Kina tregonte dronë, raketa bërthamore dhe armë të avancuara, Trump kujtoi paradën që organizoi vetë në Uashington për 250-vjetorin e Ushtrisë Amerikane, një ngjarje më e thjeshtë, e mbushur me nostalgji për historinë ushtarake amerikane, në përputhje me sloganin “Make America Great Again”.
Trump e sheh “America First” si rrugën drejt një epoke të re të artë amerikane. Por ndërkohë që Pekini po demonstron fuqi globale, në SHBA vetë strategjia e tij është nën rrezik: një gjykatë apeli rrëzoi një pjesë të tarifave si të paligjshme, duke hapur rrugën për një betejë vendimtare në Gjykatën e Lartë.
Përshtatur nga BBC në shqip ©LAPSI.AL
The post Spektakli i Kinës zbulon rreziqet e tarifave të Trump-it appeared first on Lapsi.al.
