Kuvendi miraton mes tensioneve përbërjen e komisioneve të përhershme parlamentare, Berisha apel për protesta

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Kuvendi ka miratuar sot përbërjen e komisioneve të përhershme parlamentare, në një seancë të shoqëruar nga debate të ashpra mes opozitës dhe maxhorancës. 94 deputetë votuan pro, 3 abstenuan dhe 1 votoi kundër, duke zyrtarizuar ndarjen e komisioneve sipas rregullores së re.

Nga 11 komisione gjithsej, 7 do të drejtohen nga Partia Socialiste, ndërsa 4 nga Partia Demokratike. Maxhoranca mori drejtimin e komisioneve të rëndësishme si ai i Ekonomisë, Çështjeve Ligjore dhe Punëve të Jashtme. Nga ana tjetër, opozita do të drejtojë komisionet e Edukimit, Shëndetësisë, të Drejtave të Njeriut dhe Kulturës.

Debati më i fortë u përqendrua te procesverbali i seancës së 18 shtatorit, ku qeveria miratoi programin e saj pa diskutimin e opozitës. Deputetët opozitarë, përfshirë Sali Berishën, Jorida Tabakun dhe Belind Këlliçin, kërkuan anulimin e procesverbalit dhe përsëritjen e seancës. Berisha e cilësoi atë si “më të turpshmin” në historinë e parlamentarizmit shqiptar, ndërsa Tabaku akuzoi kryeparlamentarin Niko Peleshi për shkelje të rregullores, duke i mohuar fjalën kreut të grupit parlamentar demokrat.

Në përgjigje, kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, akuzoi opozitën për “dhunim dhe prishjen e solemnitetit” të seancës së kaluar. Ai theksoi se procesverbali nuk reflektonte situatën, sepse vetë deputetët e opozitës nuk ishin lejuar të flisnin, pasi kishin bllokuar foltoren. Blendi Klosi, Sekretar i Përgjithshëm i PS-së, shtoi se kjo duhet të kthehet në një normë, duke lejuar kalimin direkt në votim kur deputetët pengojnë fjalën.

Opozita votoi kundër procesverbalit, ndërsa maxhoranca e miratoi vetëm me votat e saj. Në një deklaratë për mediat pas seancës, kreu i PD Sali Berisha e cilësoi të gjithë procesin si “aktin më antikushtetues” të kësaj mazhorance. Ai paralajmëroi se rruga e vetme përpara është protesta qytetare, pasi sipas tij, rruga ligjore dhe procedurale është e bllokuar.

Berisha i krahasoi politikanët e mazhorancës me fatin e Erion Veliajt, i cili u shkarkua nga Këshilli Bashkiak, duke thënë se ata “ishin në zi, nxinin sepse panë secili në veten e tij, fatin e Erion Veliajt”. Ai përmendi raste specifike, si ai i ministres Belinda Balluku me “tunelin e Llogarasë apo atë të Olta Xhaçkës, duke i etiketuar si shembuj të korrupsionit që nuk do të shpëtojnë nga drejtësia.

The post Kuvendi miraton mes tensioneve përbërjen e komisioneve të përhershme parlamentare, Berisha apel për protesta appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: