Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Një arbitër anësor i English Football League, Gareth Viccars, është dënuar me 13 vjet e gjysmë burg për abuzime seksuale ndaj të miturve. 47-vjeçari, me origjinë nga Milton Keynes, ka pranuar 16 pika akuze, përfshirë marrëdhënie seksuale me një të mitur, joshje me qëllim abuzimi, nxitje për marrëdhënie seksuale dhe organizim takimesh me adoleshente. Krimet, të kryera midis nëntorit 2021 dhe tetorit 2024, kanë përfshirë tre vajza 15-vjeçare.
Arbitri anësor dënohet me 13.5 vjet burg për abuzime ndaj të miturve
Përveç dënimit me burg, Viccars do të duhet të vuajë edhe tre vjet e gjysmë të tjera nën mbikëqyrje pasi të ketë përfunduar vuajtjen e dënimit. Gjatë shpalljes së vendimit, gjyqtarja Caroline English theksoi se burri kishte “shënjestruar me qëllim” viktima të reja të pambrojtura, plotësisht i vetëdijshëm për moshën e tyre. “Në të tre rastet ju keni abuzuar vajza të brishta, duke shfrytëzuar cenueshmërinë e tyre”, deklaroi gjyqtarja.
Pas vendimit të shpallur ndaj Viccars ditën e enjte, policia metropolitane bëri një apel ndaj kujtdo që beson se ai ose fëmijët e tij mund të jenë viktima të ish-asistentit të arbitrit, duke i ftuar të paraqiten. Duke folur jashtë gjykatës, inspektori i lartë Ross Morrell, i cili ka udhëhequr hetimet e Met, deklaroi: “E dimë që Viccars po dërgonte mesazhe qindra vajzave në Snapchat, dhe sot është dënuar për krime të tmerrshme. Besojmë se ka viktima të tjera atje jashtë. Mendojmë se mund të jenë me qindra”.
Në gjykatë është bërë e ditur se Gareth Viccars kishte filluar të komunikonte me vajzën e parë 15-vjeçare në Snapchat në nëntor 2021, kur tashmë ishte i përfshirë në një marrëdhënie tjetër me një të rritur, pas ndarjes nga gruaja.
A professional assist football referee called Gareth Viccars from Milton Keynes has been jailed for grooming 3 teenage girls online. pic.twitter.com/qAM3PVE6xe
— Scarcity News (@ScarcityStudios) October 3, 2025
Lexo më tej: Skandal në Angli: Akins sërish futbollist pas7 muajsh burg për vrasjen e një çiklisti
Charlotte Newell KC, përfaqësuese e akuzës, shpjegoi se ata kishin filluar të shkëmbenin imazhe intime, por më pas ishin takuar personalisht kur Viccars kishte shkuar ta merrte nga shkolla me makinën e tij. Gjatë asaj periudhe ai filloi të komunikonte me një tjetër 15-vjeçare, gjithashtu në Snapchat, duke qenë i vetëdijshëm që ajo ndihej e vetmuar dhe dëshironte dikë me të cilin të fliste. Viccars u arrestua dhe u mor në pyetje për herë të parë nga policia në korrik 2024 dhe ndërkohë që ishte i lirë me kusht filloi të komunikonte me një tjetër vajzë 15-vjeçare me një telefon të ri, duke i thënë se ishte mësues i edukimit fizik. Vajza i tregoi policisë se ishte sulmuar.
Football Association dhe English Football League kanë bërë të ditur se Viccars ishte pezulluar menjëherë sapo kishin dalë akuzat dhe nuk kishte gjykuar më asnjë ndeshje gjatë sezonit të fundit.
The post Arbitri Viccars dënohet me 13.5 vjet burg për abuzime ndaj të miturve në Angli appeared first on Lapsi.al.
