Pas më shumë se një muaji pritje, sot vazhdon seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Pas më shumë se një muaji pritje, deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen sot për të vazhduar seancën konstituive të legjislaturës së 11-të.

Seanca është thirrur për në orën 11:00 nga kryesuesi Avni Dehari, ndërsa në rend dite janë zgjedhja e kryetarit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje pritet ta rikandidojë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit. Partia Demokratike e Kosovës pritet ta propozojë Vlora Çitakun për nënkryetare, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës, Kujtim Shalën.

Vazhdimi i seancës vjen pas një bllokade politike dhe tejkalimit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit. Afati prej 30 ditësh kishte përfunduar më 7 gusht, ndërsa seanca e fundit ishte mbajtur një ditë më vonë. Prej atëherë, Kuvendi nuk është mbledhur për ta përfunduar procesin e konstituimit.

VV-ja dhe LDK-ja kanë arritur marrëveshje që profesori universitar Bekim Sejdiu të jetë kandidat i përbashkët për president. Megjithatë, marrëveshja është kundërshtuar nga gjashtw deputetë të LDK-së, çka ka ngritur pikëpyetje nëse ekzistojnë votat e mjaftueshme për realizimin e saj.

Pavarësisht kritikave për tejkalimin e afatit kushtetues, PDK-ja dhe LDK-ja kanë konfirmuar pjesëmarrjen në seancën e sotme.

Ndryshe nga këto dy parti, Aleanca ka vendosur të mos marrë pjesë.

Për konstituimin e Kuvendit duhet të zgjidhen kryetari dhe pesë nënkryetarët. Kryetari propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe për zgjedhjen e tij nevojiten së paku 61 vota të deputetëve.

Tre nënkryetarë propozohen nga tri grupet më të mëdha parlamentare, ndërsa dy pozitat e tjera u takojnë komuniteteve joshumicë – një komunitetit serb dhe një komuniteteve të tjera.

Nëse deputetët arrijnë t’i zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët, do të përmbyllet procesi i konstituimit të Kuvendit dhe do t’i hapet rrugë hapave të tjerë për funksionalizimin e institucioneve të reja

The post Pas më shumë se një muaji pritje, sot vazhdon seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: