LDK i ‘hap rrugë’ kandidatit të VV-së, Haziri: Ne si parti, e votojmë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka dhënë një sinjal të qartë për votimin në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Ai ka bërë të ditur se deputetët e LDK-së do të marrin pjesë në seancë dhe do të votojnë kandidatin që Lëvizja Vetëvendosje do të propozojë për kryetar të Kuvendit, si edhe kandidatët për nënkryetarë.

Haziri tha se LDK-ja do ta mbështesë kandidatin e propozuar nga Vetëvendosje, pavarësisht se kush do të jetë emri i zgjedhur nga kjo parti.

“Ne si LDK e votojmë”, tha Haziri në një emision televiziv.

Sipas tij, vota e LDK-së lidhet me nevojën për bashkëpunim dhe koordinim mes partive politike, në mënyrë që Kuvendi të mund të përmbyllë procesin e konstituimit.

Haziri tha gjithashtu se ka qenë vazhdimisht në favor të marrëveshjeve politike dhe bashkëpunimit ndërmjet subjekteve.

“Unë jam kanë pro marrëveshjeve dhe bashkëpunimit, të koordinimit sa ma të mirë”, u shpreh ai.

Vazhdimi i seancës konstituive është caktuar për 9 shtator, në orën 11:00, ndërsa në rend dite është zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

LDK kishte konfirmuar më herët se do të marrë pjesë në seancë, ndërsa edhe Vetëvendosje ka konfirmuar pjesëmarrjen. Megjithatë, Albin Kurti nuk ka bërë të ditur nëse partia e tij do të paraqesë kandidatin për kryetar të Kuvendit në këtë seancë.

The post LDK i ‘hap rrugë’ kandidatit të VV-së, Haziri: Ne si parti, e votojmë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: