Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste zhvilloi këtë të premte një takim koordinues me ministrat dhe deputetët socialistë të Tiranës, në kuadër të organizimit të fushatës për zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit në Bashkinë e Tiranës.
Gjatë takimit të zhvilluar me dyer të mbyllura, Rama mësohet se ka komentuar për herë të parë situatën e krijuar pas shkarkimit të Erion Veliajt. Rama u ka kërkuar të tijve që të mos bëjnë deklarata publike për këtë çështje pasi do të humbin përqendrimin te fushata.
“Nuk e shkarkoi qeveria Erion Veliajn, por Këshilli Bashkiak” – mësohet të kenë qenë fjalët e Ramës edhe pse ai vetë ishte iniciatori i këtij shkarkimi.
Ai u ka kërkuar socialiustëve të qëndrojnë larg debateve politike dhe publike lidhur me mënyrën se si u dekretuan zgjedhjet nga Presidenti i Repuoblikës, duke theksuar se për Partinë Socialiste “çështja është e mbyllur” dhe nuk duhet të ndikohet organizimi elektoral.
“Presidenti e ka firmosur me vullnetin e tij dekretin”- u ka thënë Rama socialistëve.
Më pas Rama ka njoftuar ndarjen e zonave të përgjegjësisë për deputetët dhe ish-deputetët socialistë në territorin e Bashkisë së Tiranës, duke ndjekur të njëjtin model të përdorur në zgjedhjet e 11 majit.
Në këtë fushatë pritet të jenë aktivë edhe ministrat e kabinetit, të cilët do të kenë rol mbështetës për strukturat në terren dhe do të angazhohen në komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët.
Dy ditë më parë Presidenti Bajram Begaj dekretoi zgjedhjet e parakohshme në 6 bashki të vendit, përfshirë edhe Tiranën. Dekreti i kreut të shtetit u padit në Gjykatën Kushtetuese nga Erion Veliaj. /LAPSI.al
The post “Nuk e shkarkoi qeveria Veliajn”/ Çfarë u tha Rama socialistëve me dyer të mbyllura appeared first on Lapsi.al.
