Zbulohen në Malësi të Madhe tre ambiente për kultimin e drogës

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Dy shtëpi dhe një stallë të përshtatura për kultivimin e kanabisit u zbuluan nga autoritetet policore në Malësi të Madhe. Në një njoftim për mediat, këtë të diel, 2 nëntor, policia tha se gjatë operacionit të quajtur “Neonët”, u arrestuan dy persona, kushërinj me njëri-tjetrin, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim.

Po ashtu, autoritetet ndaluan edhe katër punonjës të OSHEE-së, nën dyshimet se kanë lejuar lidhjen e energjisë elektrike në mënyrë të paligjshme në këto ambiente. Dy të tjerë u proceduan penalisht.

“Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit S. P., 48 vjeç, L. P., 69 vjeç (kushërinj), si dhe u shpall në kërkim shtetasi K. P., 33 vjeç, të tre banues në fshatin Lulashpepaj. Në vijim të operacionit u ndaluan edhe shtetasit G. H., 57 vjeç, banues në fshatin Balshaj; L. V., 34 vjeç, banues në fshatin Aliaj; Xh. Ç., 24 vjeç, banues në fshatin Zagorë; dhe A. S., 57 vjeç, banues në Koplik, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, të kryer në bashkëpunim, pasi dyshohen se kanë lejuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në disa ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike. Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit E. H., 57 vjeç, banues në Bajzë, dhe A. H., 41 vjeçe, banuese në Shkodër, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, të kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë kontrolleve në këto ambiente, policia zbuloi mes të tjerash mbi një mijë bimë kanabis dhe 1 kg e 800 gramë kanabis në proces tharjeje.

“Nga kontrollet në 3 ambiente (2 banesa dhe një stallë) në fshatin Hot, të përshtatura për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike kanabis, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1110 bimë të dyshuara kanabis, 1 kg e 800 gramë lëndë narkotike kanabis në proces tharjeje, 300 llamba, 22 aspiratorë, 35 veltinatorë, 11 panele neoni, 22 filtra ajri dhe 217 inverterë”, thuhet më tej në njoftimin e policisë së Shkodrës.

The post Zbulohen në Malësi të Madhe tre ambiente për kultimin e drogës appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: