Vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë, e cila dënoi me 81 vite burg katër ish-krerët e UÇK-së ka ngjallur protesta në Prishtinë dhe më gjerë.
Ditën e sotme në sheshin Heldenplatz, në Vjenë janë mbledhur dhjetëra qytetarë shqiptarë për të protestuar kundër këtij vendimi.
Në duar ata mbajnë flamuj kuqezi dhe flamuj të UÇK-së, ndërsa e konsiderojnë vendimin si të padrejtë.
Ky tubim vjen në shenjë solidariteti dhe mbështetjeje për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. “Jo në emrin tim”, “UÇK, UÇK” dhe “O Hashim, ti ku je, krejt Kosovën këtu e ke”, këto ishin disa nga thirrjet më të përsëritura.
Në mesin e protestuesve ishte edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prizren, Isë Berisha. Ai u shpreh se tubimi në Vjenë është shprehje e krenarisë, dhimbjes dhe ndërgjegjes kombëtare. Më tej, ai tha se populli nuk do të heshtë kur vihet në pikëpyetje lufta dhe familjet që dhanë më të shtrenjtën për lirinë e Kosovës.
“Sot na ka mbledhur krenaria, dhimbja dhe ndërgjegjja jonë kombëtare. Nuk do të heshtim për dëshmorët tanë, nuk do të heshtim për veteranët tanë, nuk do të heshtim për familjet që dhanë më të shtrenjtën për lirinë e Kosovës. Nuk do të heshtim kur vihet në pikëpyetje lufta jonë e lavdishme”, u shpreh Berisha.
The post Diaspora shqiptare në Austri proteston kundër dënimit të 4 ish-krerëve të UÇK-së: Nuk do të heshtim për dëshmorët tanë appeared first on GIJOTINA.
