Penallti e karton i kuq kundër, Egnatia rrëmben pikë me Vllazninë me perlën e Jaime

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Sfida e javës së 10-të të Superiores mes Egnatias dhe Vllaznisë prodhoi një ndeshje të fortë, me emocione deri në minutën e fundit. Në stadiumin e Rrogozhinës, kampionët në fuqi dhe kuqeblutë e Shkodrës u ndanë me rezultatin 2-2, në një sfidë ku nuk munguan golat spektakolarë (Kallaku e Jaime), kartonët dhe përmbysjet.

Ndeshja në Rrogozhinë konfirmoi se Egnatia dhe Vllaznia janë ndër pretendentet më serioze për trofeun. Të dyja skuadrat treguan cilësi, karakter dhe organizim, duke dhuruar një sfidë të denjë për kreun e Superiores. Me kampionatin që hyn në fazën e tij më të nxehtë, gara për titullin duket më e hapur se kurrë.

Avantazhi i parë: Kallaku nderon Vllazninë me një supergol

Vllaznia e nisi më mirë ndeshjen dhe dominoi në pjesën e parë. Pasi rrezikuan disa herë portën e vendasve, shkodranët gjetën golin në minutën e 44′ me një perlë të Sherif Kallakut. Goditja e mesfushorit shkodran nga distanca përfundoi në rrjetë, duke i dhënë avantazhin ekipit të trajnerit Mezani në pushim.

Gabimi i portierit u kushton kuqebluve

Në pjesën e dytë, panorama e ndeshjes ndryshoi tërësisht. Egnatia reagoi me forcë dhe në minutën e 62′ arriti të barazojë falë Yahaya, i cili përfitoi nga një gabim i portierit Pohls. Rrogozhina u ndez sërish dhe loja mori ritëm të lartë, me raste nga të dyja palët.

Penalltia, kartoni i kuq dhe kthesa e dytë e Vllaznisë

Vetëm pak minuta më pas, situata u përmbys përsëri. Fangaj ndërhyri gabim në zonë duke shkaktuar penallti dhe mori kartonin e dytë të verdhë, që solli përjashtimin e tij nga loja. Nga pika e bardhë, kapiteni Bekim Balaj u tregua i saktë, duke rikthyer avantazhin për Vllazninë në minutën e 74′. Në atë moment, duke qenë me një lojtar më pak, Egnatia u detyrua të riorganizohej dhe të luante më kujdesshëm në mbrojtje.

Megjithë inferioritetin numerik, skuadra e Edlir Tetovës tregoi karakterin e kampionëve. Në minutën e 86′, pas një skeme të ndërtuar me qetësi, Jaime finalizoi bukur një kombinim me Aleksin, duke dërguar topin në rrjetë për barazimin 2-2 nga goditja e dënimit. “Normal që më vjen keq sepse të jesh 1-2 dhe me 10 minuta lojë, një lojtar më tepër dhe të futesh në presion siç bëmë ne, e kam peng sepse kemi eksperiencë. Në fund duhet ta kontrollonim lojën dhe të mbanim rezultatin, mos të pësonim golin e dytë”, tha Edi Martini, tekniku i Vllaznisë pas ndeshjes.

Skema e përpunuar mes dy lojtarëve të Egnatias, Aleksi e Jaime, riktheu entuziazmin në shkallët e stadiumit dhe vulosi rezultatin përfundimtar.

Pas barazimit: renditja bëhet më e ngushtë në krye

Ky barazim i ngjit Vllazninë në krye të renditjes me 20 pikë, po aq sa Elbasani, që ndan kreun me golavarazh më të mirë. Egnatia, me 19 pikë, qëndron menjëherë pas tyre në vendin e tretë, duke ruajtur presionin mbi dyshen e kreut.

Një pikë që mund të rezultojë e vlefshme në garën për titull, por që lë të dyja skuadrat me ndjesinë se mund të kishin marrë më shumë nga kjo përballje.

The post Penallti e karton i kuq kundër, Egnatia rrëmben pikë me Vllazninë me perlën e Jaime appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: