Pyetjet e fundit nga banorët e Njësisë nr. 2 në Tiranë në takimin me kryeministrin Edi Rama mbrëmjen e sotme, me temë buxhetin 2026 dhe problematikat që shqetësojnë qytetarët, lidheshin me problematikën e ujit të pijshëm.
Ndërsa përgjigjej, kryeministri njoftoi se ishte caktuar një drejtues për projektet e reja të ujit të pijshëm në kryeqytet dhe zgjidhjen e tyre, teksa njoftoi se do ngrihej një Operator Kombëtar i Ujit ashtu siç funksionojnë ata të energjisë dhe të sektorëve të tjerë.
Madje i njëjti Operator do të funksiononte edhe për trajtimin e mbetjeve, çështja më problematike për vendin sipas kreut të qeverisë, e që kërkonte zgjidhje.
“Tirana nuk vuan për ujë, ka burime të konsiderueshme. Por ne do të ngremë edhe një Ndërmarrje Kombëtare të Ujit, siç janë ato të energjisë, shpërndarjes, pra do të kemi edhe Operatorin Kombëtar të Ujit, që ta ngremë në një nivel apo shkallë tjetër. Do shfrytëzojmë çdo mundësi për të realizuar edhe partneritet strategjik me kompani të mëdha ndërkombëtare, që kanë eksperiencë dhe që do shërbejnë”, u shpreh kryeministri.
Në lidhje me problematikën e mbetjeve urbane ai shpjegoi se:
“Tani ka edhe një çështje tjetër që ju nuk e ngritët si pyetje por unë dua ta trajtoj. Problem është edhe çështja e mbetjeve, rritja e volumit të mbetjeve. Ndjehet shumë në vendet ku ka turizëm por edhe në Tiranë, pasi është rritur numri i banorëve dhe konsumit. Edhe për këtë do të ngremë një Operator Kombëtar të Mbetjeve, për trajtimin e tyre, përfshi edhe Tiranën si një nga qytetet kryesore. Gjithashtu të gjitha gjërat që duhet të ishin bërë, që nuk janë bërë, ato do të bëhen. Edhe në aspektin e standardeve që do të rrihen, do jetë një process i pakthyeshëm”, përfundoi Rama shpjegimin e tij për banorët e Njësisë nr. 2 në kryeqytet.
The post Rama: Do të ngremë Operatorin Kombëtar për Ujin dhe për Mbetjet appeared first on Lapsi.al.
