Vrasja e shqiptarit në Greqi, dyshime për ngatërresë identiteti me një tjetër person

Shpërndaje:

Në emisionin “Në Kohë Reale” të drejtuar nga Flori Gjini, sot është folur gjerësisht mbi ngjarjen makabre të ndodhur në Skourta të Greqisë, ku u gjet i vrarë dhe i karbonizuar 27-vjeçari shqiptar, Sulo Halili.

Gazetari Edmond Guri, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Athina, solli detaje të reja mbi hetimet e autoriteteve greke dhe pasqyrimin e mediave vendase.

Gazetari e cilësoi rastin si shumë të ndërlikuar, duke e krahasuar me një ‘thriller’ kriminal, pasi versionet e ngjarjes kanë ndryshuar nga dita në ditë.

Ai shtoi se një nga pistat e policisë lidhet me mundësinë e një koincidence fatale, ku viktima mund të jetë ngatërruar me një tjetër person shqiptar me precedentë penalë

“Kemi të bëjmë me një rast shumë të ndërlikuar, sepse ndryshe u tha fillimisht dhe tashmë ndryshe po zhvillohet ngjarja. Mesa duket kemi të bëjmë me një udhëkryq, sepse policia ende nuk ka mundur të zbardhë dinamikën e kësaj ngjarjeje,” tha Guri.

Hetimet aktualisht po shqyrtojnë dy pista kryesore, tha ai, “mundësinë që viktima të jetë ekzekutuar nga ish-i dashuri i partneres së tij, i cili e kishte kërcënuar më herët”

Sipas tij, autoritetet greke po hetojnë edhe një pistë tjetër, që lidhet me mundësinë e një koincidence fatale, që sikurse u shpreh gazetari “ viktima, 27-vjeçari Sulo Halili mund të ketë rënë pre e një ngatërrese identiteti. Ekziston një tjetër person shqiptar, me të njëjtin emër dhe mbiemër, i cili është i njohur për precedentë penalë dhe dyshohet se është vrasës me pagesë. Për shkak të ngjashmërisë së madhe në fizionomi dhe identitet, autorët e krimit mund të kenë menduar se viktima ishte pikërisht ky person me të kaluar kriminale.

Familja e viktimës dhe avokati i tyre nuk e përjashtojnë pistën e koincidencës, duke theksuar se i riu nuk kishte asnjë precedent penal dhe ishte një person i qetë që kishte ndërtuar jetën e tij. Dyshohet se ai ra pre e një kurthi pas një kontakti në rrjetet sociale me një femër, me të cilën fliste prej gjashtë muajsh.

Gjatë intervistës gazetari tha se, “autoritetet greke kanë sekuestruar celularët e familjes dhe po hetojnë kontaktet e fundit të viktimës, ndërsa pista kryesore mbetet identifikimi i personit që e takoi dhe e çoi drejt ekzekutimit. Policia dyshon se pas krimit fshihen profesionistë të botës së krimit të organizuar.

The post Vrasja e shqiptarit në Greqi, dyshime për ngatërresë identiteti me një tjetër person appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: