Mark Wahlberg dhe Michelle Monaghan rikthehen me aventurën në “The Family Plan 2’”

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Mark Wahlberg dhe Michelle Monaghan bashkohen sërish në një aventurë të re aksion-komedi me temë festash në Europë, në filmin “The Family Plan 2”, vazhdimi i një prej filmave më të shikuar të Apple TV në vitin 2023.

Wahlberg rikthehet si Dan Morgan, ish-vrasës elitar i kthyer në baba të përkushtuar. Kur vajza e tij Nina, që studion në Londër, njofton se nuk do të kthehet në shtëpi për festa, Dan vendos t’ia çojë pushimet e familjes në Europë. Planet e tij ndryshojnë shpejt kur ndeshet me të dashurin e ri të Ninës, Omar, dhe situata përkeqësohet edhe më shumë me shfaqjen e papritur të një figure nga e kaluara e Danit (Kit Harington), që sjell me vete sekrete dhe rreziqe të reja.

Monaghan thotë se vazhdimi ishte mundësi për të treguar “punë të pambyllura” të familjes Morgan, ndërsa Wahlberg thekson se synimi ishte për ta bërë filmin “më të mirë se i pari”. Ngjarjet zhvillohen dy vite pas filmit të parë: Dan drejton një firmë sigurie, Jessica po mendon ndryshim karriere, ndërsa fëmijët po rriten dhe përballen me sfida të reja.

Filmi sjell skena aksioni të xhiruara në lokacione reale, përfshirë një përleshje mbi një autobus turistik në lëvizje në Londër dhe një ndjekje me makinë në rrugicat me kalldrëm të Montmartre në Paris.

Kit Harington luan antagonistin kryesor, një “baddie” karizmatik e të rrezikshëm, i frymëzuar nga keqbërësit klasikë të filmave si “Die Hard”.

Aventura e re vë në qendër lidhjet familjare, sfidat e prindërimit dhe humorin që vjen nga situatat e çmendura ku Dan e përfshin qëllimisht familjen e tij. Për Wahlberg dhe Monaghan, që janë vetë prindër, temat e filmit rezonojnë fort me jetën e tyre personale./MXH

Shpërndaje: