Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Ministria e Mbrojtjes ka lëshuar një njoftim të detajuar për situatën e rëndë të krijuar në të gjithë vendin si pasojë e reshjeve të dendura.
Njoftohet se strukturat e mbrojtjes civile, njësitë vendore dhe Forcat e Armatosura (FA) kanë qenë të angazhuara pa ndërprerje gjatë 24 orëve të fundit për menaxhimin e prurjeve të larta, evakuimin e qytetarëve, dhe pastrimin e akseve rrugore të bllokuara nga rrëshqitjet.Vëmendja mbetet e përqendruar në menaxhimin e lumenjve jashtë shtratit dhe mbrojtjen e banesave.
Në Lezhë, puna është fokusuar te mbyllja e çarjes së argjinaturës së Vainit, ku FA kanë dislokuar mjete të rënda dhe varka për të parandaluar përmbytjet e fushës së Bregut të Matës.
Ndërkohë, në Vlorë, FA dhe strukturat vendore po punojnë për evakuimin e familjeve të prekura nga dalja e lumit Kalasë, ndërsa niveli i Vjosës po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.
Qarku i Durrësit po përballet me përmbytje, ku po punohet për normalizimin e zonave në Bubq, Mazhë dhe Mallkuç, si dhe po përforcohen argjinaturat në Thumanë.
Në Berat, prurjet e Osumit kanë përmbytur qindra hektarë tokë, duke e bërë të domosdoshme vendosjen e pritave mbrojtëse në Berat, Poliçan dhe Dimal.
Në Kukës dhe Shkodër, theksi është vënë te rrëshqitjet e dherave: në Kukës punohet për hapjen e rrugëve të bllokuara (Ujmisht, Zapod), ndërsa në Shkodër po zhbllokohet segmenti Ndërlysaj–Breg-Lumi.
Në Fier, lumi Seman po monitorohet në tokat bujqësore pranë Lushnjës, por pa rrezik për banesat.
Përsa i përket Gjirokastrës, punohet për zhbllokimin e aksit Suhë–Poliçan pas shembjes së rrugës dhe rikthimin e energjisë në Dropull.
Dibra ka mobilizuar mbi 40 forca në Mat për hapjen e rrugëve të dëmtuara, evakuimin e familjeve dhe menaxhimin e përmbytjeve.
Në Korçë, po punohet për riparimin e urave (Devoll, Miras) dhe po monitorohet rezervuari i Rotit.
Në Elbasan, pastrohen inertet dhe po ndërhyhet në Gramsh për të shmangur daljen e lumit Kerpicë.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile theksojnë se mbeten në monitorim të pandërprerë dhe në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme në rast të përkeqësimit të situatës.
The post Përmbytjet/ Vendi nën pushtetin e reshjeve, ja si paraqitet situata appeared first on GIJOTINA.
