Matteo Bocelli, djali i talentuar i artistit të njohur italian, Andrea Bocelli!

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Është një nga ditët e para të freskëta të vjeshtës. Unë dhe Matteo Bocelli teksa ulemi në një kafene, nuk habitem sesi një djalosh tipik toskan porosit një kafe ekspreso. Filxhani i bardhë në dorën e tij, duket edhe më i vogël në krahasim me trupin e tij të gjatë. “Çdo italian e do kafenë ekspreso, por unë jam shumë i fiksuar”, pohon artisti. Ai është në qytet për të promovuar albumin e tij “Falling in Love”, të cilin do ta prezantojë me një turne botëror. Si djali i këngëtarit të njohur Andrea Bocelli, albumi i tij i parë, Matteo, ndjek gjurmët e të atit, por gjithmonë në kërkim të identitetit të tij artistik.

Pse një album për dashurinë?
Sepse te dashuria gjejmë kuptimin e jetës: të jetosh pa të do të ishte pakuptim. Dua të them…dashuria nuk është vetëm ajo romantike, por edhe dashuria që ndjen për familjen dhe njerëzit që të bëjnë të lumtur.

A ka Mateo pika të dobta?

Shumë artistë shihen nga bota si të fortë dhe të pamposhtur, por në realitet, ata janë plot pasiguri. Personalisht, i bëj vetes kaq shumë pyetje: Pyes veten se cili është kuptimi i jetës, pse jemi këtu, vë në dyshim miqësitë dhe marrëdhëniet ndërpersonale… 

Çfarë bën kur të lindin këto pyetje?

Pres derisa të lodhem dhe shtrihem në shtrat. Ndoshta kjo është arsyeja pse ndihem kaq me fat kur jam në turne, sepse përpiqem ta shoh gjithmonë gotën gjysmë plot. Këto shenja duket që vijnë me kalimin e moshës dhe duke u pjekur, sidomos vitet e fundit. 

Pjekuria shoqërohet me të bërit i rritur: kur u bë Matteo Bocelli i tillë?

Nuk ka patur një moment specifik, por përkufizimit të një të rrituri i afrohesh gradualisht, duke filluar me gjërat e vogla. Ndoshta u bëra i tillë kur kuptova se, përtej pak miqve të ngushtë që mund t’i numërosh në njërën dorë, i vetmi person që mund t’i besosh ndonjëherë është vetvetja. 

A nuk u besoje të tjerëve kur ishe fëmijë?

Kur isha i vogël isha shumë i turpshëm, por në të njëjtën kohë edhe i gjallë. Nuk më pëlqente të rrija vetëm, ndaj përpiqesha të fitoja vendin tim në jetën familjare dhe shoqërore. 

Pse?

Sepse gjatë asaj periudhe, babai largohej nëpër turne të gjata dhe më mungonte, pastaj ishte dhe dhimbja që prindërit ishin të divorcuar. 

A ju shkaktonte dhimbje kjo periudhë?

Nuk mendoj se ka një fëmijë me prindër të divorcuar që nuk ka ndonjë shenjë të lëndimit. Për këtë arsye, nëse do të krijoj familje në të ardhmen, do të bëja gjithçka të mundesha për t’u siguruar që fëmijët e mi të mos përjetojnë atë që përjetova unë. 

A ëndërroni të keni një familje?

Tani për tani, jam përqendruar në karrierën time dhe është e vështirë të mendoj përtej saj. Jam shumë pro martesës dhe lindjes së fëmijëve në moshë të re, por mendoj se nuk është kurrë e drejtë të gjykosh të tjerët dhe zgjedhjet e tyre: është gjithçka shumë subjektive. 

Kur ishe adoleshent, a ishe një djalë rebel?

Shkolla e mesme dhe adoleshenca ishin periudhat më të ndërlikuara dhe konfuze të jetës sime. I bëja vetes kaq shumë pyetje dhe nuk dija saktësisht se ku të shkoja. Në shkollë, ndryshe nga vëllai im, nuk mund të fokusohesha në studime, madje kam bërë gjëra që shpesh të mos i respektoja të tjerët. Babai im më dha një mësim të shkëlqyer: ai vendosi të më hiqte gjithçka që kishte më shumë rëndësi për mua si kompjuterin, Xbox-in dhe televizorin. Ky mësim më ndihmoi të bëhesha më i bindur dhe i disiplinuar. 

A keni dëshiruar qoftë edhe për një moment, të ishit si shokët apo shoqet e klasës?

Lidhja me njerëzit përreth meje më bëri të kuptoj sa e rëndësishme ishte t’u jepja gjërave peshën e duhur. Ndonjëherë më kritikonin sepse më shihnin si një fëmijë të privilegjuar, por mendoj se e gjithë kjo më bëri mirë. Është diçka që e përjetoj tani me motrën time Virginia, pasi ajo shumë shpesh kthehet në shtëpi duke qarë për atë që i thonë shokët dhe shoqet e klasës. Babi e mbron, por jam i bindur se një ditë, ajo do t’i falënderojë ata fëmijë ashtu siç i falënderova unë. Nëse sot jam një person i përulur, ia kam borxh shembullit që mora nga miqtë që kisha pranë. 

Si e filluat rrugën në muzikë?

Kam studiuar piano që në fëmijëri, jam rritur me babanë tim i cili ndikoi në të gjitha preferencat e mia muzikore, e dua si muzikën klasike ashtu edhe atë pop. Jam një i ri që jeton dhe marr frymë me muzikë çdo ditë. 

Si e klasifikon vetëvlerësimin Matteo Bocelli?

Deri në moshën 15 vjeç, vajzat nuk më kushtonin vëmendje dhe kjo më bënte të vuaja shpesh. Kjo sepse shqetësohesha për faktin që nuk më pëlqenin mua apo që isha pjesë e familjes sime. Për fat të   mirë, kur fillova të kisha marrëdhëniet e para, rifitova vetëvlerësimin dhe fillova ta bindja veten se ajo që vajzat më thoshin ishte e vërtetë. 

Nga çfarë ke më shumë frikë?

Jam hipokondriak! Nuk është vdekja që më tremb, por vuajtja që mund të vijë me të. Unë jam 27 vjeç dhe nuk duhet të mendoj për këtë, por nuk mundem. Në fund të fundit, ajo që ka vërtet rëndësi në jetë është të jesh i lumtur dhe unë po investoj shumë në këtë pjesë. Për   mua, muzika nuk ka qenë kurrë e vetmja gjë, sepse muzika nuk është e vetmja gjë që më bën të   lumtur. 

 

Shpërndaje: