“Disiplina” ndëshkon ashpër Tiranën pas derbit me Partizanin, gjoba dhe pezullime të shumta

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka marrë një sërë masash të ashpra disiplinore ndaj klubeve dhe lojtarëve, pas ngjarjeve të regjistruara në ndeshjet e fundit të kampionateve në vend.

Masa më e rëndë është marrë ndaj Tiranës, e cila është gjobitur me 200 mijë lekë për sjellje të gabuar të tifozëve në derbin e fituar 2–1 ndaj Partizanit. Sipas vendimit, shkeljet përfshijnë përdorimin e koreve dhe banderolave fyese, ndezjen e flakadanëve dhe dëmtimin e stolave në stadium.

Gjithashtu, lojtari i Tiranës Rijad Kobiljar është pezulluar për 6 ndeshje dhe është gjobitur me 100 mijë lekë për sjellje josportive, ndërsa drejtori sportiv Omer Bunjaku është ndëshkuar me 4 ndeshje pezullim pasi hyri në fushë në mënyrë të paautorizuar.

Në vendime të tjera, FK Partizani është gjobitur me 100 mijë lekë për sjelljen e tifozëve, ndërsa AF Elbasani është ndëshkuar me 200 mijë lekë për incidente të ngjashme në shkallët e stadiumit.

Komisioni ka marrë masa edhe në kategori të ndryshme të futbollit, përfshirë moshat. Janë dhënë pezullime për lojtarë dhe gjoba për klube si pasojë e braktisjes së ndeshjeve, sjelljeve të dhunshme dhe provokimeve ndaj zyrtarëve dhe spektatorëve.

Vendimi i FSHF-së parashikon gjithashtu detyrimin e klubeve për të dëmshpërblyer dëmet e shkaktuara në stadium, ndërsa palët kanë të drejtë ankimi brenda tre ditëve në Komisionin e Apelit.

The post “Disiplina” ndëshkon ashpër Tiranën pas derbit me Partizanin, gjoba dhe pezullime të shumta appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: