Diplomati Gazmend Turdiu ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me një rezolutë të paraqitur në SHBA, e cila mbështet aspiratën e Kosovës për anëtarësim në NATO.
Gjatë një interviste në “Balkan Talks”, ai e cilësoi këtë hap si një hap pozitiv politik, pasi do të përbënte garancinë përfundimtare të sigurisë së saj.
“Sigurisht që anëtarësimi i Kosovës në NATO na intereson shumë sepse do të ishte përfundimi i garantimit të sigurisë së shtetit të Kosovës. Një anëtar i NATO-s është i mbrojtur siç do anëtar tjetër i NATO-s.
Paraqitja e kësaj projekt rezolute për miratim është një akt pozitiv, nuk përbën risi por është një hap i rëndësishëm, një gjest politik në favor të Kosovës dhe në shërbim të interesasve të sigurisë në rajonin tonë”, tha ai.
Diplomati nënvizoi se procesi mbetet i vështirë për shkak të mosnjohjes së saj nga katër vende anëtare të aleancës. Ai shtoi se tjetër pengesë mbeten edhe marrëdhëniet e ndërlikuara mes Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s.
“Pika kryesore dhe pengesa e anëtarësimit të Kosovës në NATO, është mosnjohja nga katër vende. Argumenti se vendimi merret me consensus është i saktë, por nuk është i plotë.
Anëtarët e NATO-sjanë shtete, nëse anëtarët e NATO-s nuk e njohin të gjithë si shtete Kosovën, mendoj se është e vështirë të shtrohet qoftë dhe për diksutim.
Marrëdhëniet e SHBA-së me NATO-n si organizatë dhe anëtarët e saj, janë bërë problematike nisur edhe nga deklaratat e presidentit Trump kohët e fundit”, tha Turdiu.
The post Rezolutë që Kosova të futet në NATO, Turdiu: Hap pozitiv për sigurinë, pengesë mbetet mosnjohja nga 4 vende appeared first on Euronews Albania.
