Vrasja e biznesmenit në Elbasan/ Arrestohet një tjetër person, dyshohet se ishte ekzekutor (Emri)

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Policia ka vënë në pranga një tjetër person të dyshuar për përfshirjen në ekzekutimin e biznesmenit Mondi Mëhalla (Edmond Hyka), ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 30 nëntorit në Elbasan.

Arrestimi është kryer në Përrenjas, ku u kap 33-vjeçari Nevzat Spaho, person me precedentë penalë, i cili sipas hetimeve paraprake dyshohet se ka qenë ekzekutori me armë në vrasjen e shtetasit.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se arrestimi i tij u bë në kuadër të zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes.

Arrestimi i tij pritet të hedhë më shumë dritë mbi motivin e vrasjes dhe rolin e secilit prej të dyshuarve.

Ndërkohë vijojnë kontrollet dhe hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që dyshohet se kanë bashkëpunuar në ekzekutim.

Si ndodhi ngjarja? 

Mbrëmjen e së dielës (30 Nëntor), biznesmeni Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla u ekzekutua brenda mjetit të tij tip Range Rover. Trupi i pajetë i 43-vjeçarit u gjet brenda makinës rreth orës 20:35, në lagjen “Emin Matraxhiu” të qytetit të Elbasanit. Viktima sapo kishte dalë nga zyra, në afërsi të së cilës ndodhen bizneset dhe shtëpia e nënës së tij.

Në momentin kur është futur në makinë, është qëlluar me armë zjarri dhe ka marrë tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Më pas në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë, të cilat kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha daljet e qytetit, ndërsa janë bërë kontrolle në zonë dhe në ambiente të ndryshme për kapjen e autorëve.

Gjithashtu automjeti i përdorur nga ekzekutuesit dyshohet të ketë qenë një Audi me ngjyrë të zezë, i cili është larguar me shpejtësi në drejtim të aksit rrugor Elbasan–Librazhd.

 

The post Vrasja e biznesmenit në Elbasan/ Arrestohet një tjetër person, dyshohet se ishte ekzekutor (Emri) appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: