Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Yjet britanikë të muzikës pop, Jessie J, Raye dhe Ed Sheeran, ishin në qendër të vëmendjes në edicionin e këtij viti të Jingle Bell Ball, koncerti i përvitshëm i stacionit radiofonik britanik Capital FM, i cili mbahet çdo vit që nga 2008-a në O2 Arena të Londrës.
Ed Sheeran dhe Jessie J performuan disa nga hitet e tyre më të njohura, përfshirë “Shape of You” dhe “Domino”, ndërsa Raye solli në skenë këngën e saj që këtë vit u rendit në krye të listave, “Where’s My Husband”.
Të shtunën në skenë u ngjitën gjithashtu këngëtarja Leigh-Anne dhe grupi djemsh Five, ndërsa të dielën performuan Cat Burns me singlin e saj viral “Go” dhe ylli australian Kylie Minogue, e cila solli një interpretim festiv të këngës klasike “Santa Baby” në një atmosferë të mbushur me borë dhe dekorime të Krishtlindjes.
Ngjarja, e cila bashkon artistë të njohur britanikë dhe ndërkombëtarë, vazhdon të jetë një nga koncertet më të pritura të sezonit të festave, duke ofruar për publikun një përvojë muzikore dhe festive të paharrueshme./mxh
