Rëndohet bilanci nga sulmi në Sidnej/ 16 viktima dhe 40 të plagosur

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Për 10 minuta, dy autorët qëlluan mbi njerëzit që ishin mbledhur për të festuar festën hebraike të Hanukkah në një nga plazhet e njohura australiane të Sidnejit. Bilanci i viktimave nga sulmi është rënduar duke shkuar në 16 ndërsa numërohen rreth 40 të plagosur në spitale. Autoritetet e konsideruan sulmin si “terrorist” me motive të qarta “antisemite” dhe një nga më seriozët e regjistruar ndonjëherë në Australi. Sipas BBC, 4 fëmijë janë shtruar në spital teksa disa prej të plagosurve janë në gjendje kritike. Mes viktimave është një i mitur dhe një rabin.

Ngjarja ndodhi pak para orës 18:45 sipas kohës lokale, në një moment veçanërisht të ngarkuar me njerëz në zonë. Fundjava kishte sjellë qindra qytetarë në plazh, me shëtitës, pushues dhe surfistë të pranishëm kur shpërthyen të shtënat. Dëshmitarët thanë se të shtënat zgjatën rreth 10 minuta dhe qindra njerëz filluan të vraponin në panik në rërë dhe në rrugët dhe parqet aty pranë.

Policia tha se rreth 1,000 njerëz po merrnin pjesë në eventin e Hanukkah. “Ne të gjithë u panikuam dhe filluam të vraponim gjithashtu. Na ranë të gjitha… shapka, gjithçka. Po vraponim drejt kodrave”, – tha banori vendas Marcos Carvalho, 38 vjeç.

Grace Matthew, banore e zonës tha se njerëzit po vraponin pranë saj kur dëgjoi të shtëna me armë. “Në fillim, mendon se është një ditë e bukur në plazh. Mendon se njerëzit thjesht po kalojnë mirë. Pastaj më shumë njerëz po vraponin dhe thanë se kishte një person të armatosur, kishte të shtëna masive dhe po vrisnin njerëz”, – tha ajo.

“Dëgjuam të shtëna me armë. Ishte tronditëse… 10 minuta të shtëna të vazhdueshme. Tingëllonte si një armë e fuqishme”, tha për AFP-në Camilo Diaz, një student 25-vjeçar kilian në vendngjarje. “Pati të shtëna, dy persona të armatosur të veshur me të zeza dhe të armatosur me pushkë gjysmë-automatike”, tha një dëshmitar tjetër, Timothy Brand-Cole, një turist britanik.

Të shtënat masive janë të rralla në Australi, një nga vendet më të sigurta në botë. Sulmi i së dielës ishte më i keqi që nga viti 1996, kur një person i armatosur vrau 35 persona në një atraksion turistik në shtetin jugor të Tasmanisë. ©LAPSI.al

The post Rëndohet bilanci nga sulmi në Sidnej/ 16 viktima dhe 40 të plagosur appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: