Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Të jesh vajza e një artisti me një karrierë 30-vjeçare nuk është e lehtë, por Anna Gjebrea na mëson se thjeshtësia dhe puna e palodhur është çelsi që një ditë ajo të trashëgojë dhe të ndjekë të njëtat hapa si babai i saj. Një nga sfidat dhe pasionet që ajo zgjodhi të ndjek këtë vit, përpos muzikës e cila duket se është një talent i trashëguar familjar, ishte dhe moderimi i Kënga Magjike 2025
Në një intervistë ekskluzive për Bordo, Anna Gjebrea ka ndarë emocionet, kritikat dhe përvojën e saj të prezantimit të edicionit jubile, 25 vjetorit të Kënga Magjike, së bashku me artistin dhe moderatorin që na shoqëron çdo të diel dhe që e njohim të gjithë, por ajo është mësuar ta shoh vetëm në figurën e babit, Ardit Gjebrea.
“Është përgjegjësi shumë e madhe, është edhe stres në të njëjtën kohë,” tregon Anna, duke shtuar se pas çdo fjali e shikon babain për të kuptuar nëse e tha saktë. Megjithatë, ajo pranon se prezantimi me babain sjell një ndjenjë të veçantë dashurie:
Anna thotë se, përtej komplimenteve që nuk mungojnë, kritikat e babait kanë qenë më të dobishme. “Më kanë rritur, si në prezantim ashtu edhe si person,” shprehet ajo. Madje ajo na zbulon dhe një prej tyre.
“Në fillim të emisionit, në javën e parë dhe të dytë, më thoshte mos e tund krahun. Por unë doja të gjeja diçka për t’i kundërshtuar, dhe kuptova që edhe babi e lëvizte krahun, por nuk dukej nga xhaketa.”
Anna gjithashtu thekson se disiplina dhe kërkesa e babait i ka dhënë një shembull të fuqishëm, por nuk e ka ndaluar që të jetë gjithashtu shumë kërkuese ndaj vetes. “Provat me orë të tëra nuk ishin vetëm për babin, i bëra sepse doja më të mirën,” shprehet ajo.
Eksperienca e prezantimit me babain, sipas Anna-s, është një kombinim i sfidës, mësimit dhe dashurisë, duke e bërë çdo moment të veçantë dhe të paharrueshëm./mxh
