Shqipëria po mbushet me punëtorë të huaj, India dhe Filipinet kryesojnë me rritjen më të madhe

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Shqipëria po shndërrohet gjithnjë e më shumë nga një vend që eksporton fuqi punëtore, në një treg që po tërheq punonjës nga jashtë. Të dhënat më të fundit të INSTAT konfirmojnë se mungesa e fuqisë punëtore në vend po mbushet me ritme të shpejta nga shtetas të huaj, ku Azia po zë një peshë gjithnjë e më të madhe.

Në fund të vitit 2025, në Shqipëri rezultonin 32.163 të huaj me leje qëndrimi, duke shënuar një rritje prej 46,6% krahasuar me vitin 2024, ku numri i tyre ishte rreth 21,9 mijë. Në vetëm katër vjet, ky numër është më shumë se dyfishuar (nga 14,9 mijë në vitin 2021).

Sipas shifrave zyrtare, 55,1% e lejeve të qëndrimit janë dhënë për arsye punësimi. Pas tij renditet bashkimi familjar me 19,8%, ndërsa qëllimet humanitare dhe studimet zënë përkatësisht 7,9% dhe 3,1%.

Sa i përket profilit demografik, 65% e të huajve janë meshkuj dhe 35% femra, ndërsa grupmosha më e përfaqësuar është ajo 30-39 vjeç (24,5%).

Edhe pse Evropa mban ende peshën kryesore me 52,9% të totalit (ku Kosova me 6.284 persona dhe Italia me 4.065 persona kryesojnë), dinamika më e fortë vjen nga Azia.

  • Prania nga Azia: Arriti në 9.891 persona në fund të 2025-ës, me një rritje prej 117,6% brenda një viti.
  • India: Renditet e treta në total me 2.886 persona (9% të totalit), duke pësuar një rritje prej 87,6%.
  • Filipinet: Renditen të katërtat me 2.401 persona (7,5% të totalit), me një rritje prej 136,1% krahasuar me vitin 2024.

Fluksi pritet të vijojë me ritme të larta, pasi gjatë vitit 2025 aplikimet për leje qëndrimi u rritën me 43,5%, ku vetëm kërkesat nga India dhe Filipinet përbënin mbi 1 në çdo 4 aplikime (26,6%).

Paralelisht me emigracionin e rregullt, gjatë vitit 2025 janë identifikuar 1.926 të huaj me qëndrim të parregullt, nga 1.540 që ishin në vitin 2024 (një rritje prej 25%).

Të dhënat tregojnë qartë se importi i fuqisë punëtore nuk është më një fenomen periferik, por një komponent i rëndësishëm i tregut shqiptar të punës për të mbuluar boshllëqet e krijuara nga emigracioni vendas.

 

The post Shqipëria po mbushet me punëtorë të huaj, India dhe Filipinet kryesojnë me rritjen më të madhe appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: