Policia Kufitare dhe e Rendit inspektojnë situatën në Kakavijë, fluksi në rritje

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Në Pikën Kufitare të Kakavijes drejtues të strukturave të Policisë Kufitare dhe Policisë së Rendit kanë inspektuar punën që po bëhet nga strukturat blu në këtë periudhë me fluks të shtuar të lëvizjes në kufirin me Greqinë.

Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike Dhimitraq Ziu dhe Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionit Sajmir Muçaj bashkëbiseduan me punonjësit e policisë në Kakavije për evitimin e radhëve të pritjes dhe garantimin e rendit dhe sigurisë publike në doganën e Kakavijes.

Gjatë prononcimit për gazetarët dy drejtuesit e strukturave të Policisë së Shtetit theksuan edhe bashkëpunimin me palën greke për përpunimin e fluksit të shtuar përgjatë periudhës të festave të fundvitit.

“Qendrat e informacionit të përbashkët në të gjitha pikat kufitare të vendit kanë shërbyer për shkëmbimin e informacionit në kohë reale dhe përgjigjen e situatave që mund të sjellin flukse të dendura të udhëtarëve dhe bllokim të radhëve të gjata. Gjithashtu nga ana jonë është intesifikuar shkëmbimi i informacionit me vendet fqinje sidomos të pikës greke në Kakavije për lehtësimin e kalimit të kufirit të shtetasve si në hyrje ashtu dhe në dalje të vendit tonë”, është shprehur Muça.

Ndërkohë, Dhimitraq Ziu, Drejtor i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike theksoi se Shërbimet e policisë së Rendit do të ketë edhe natën e ndërrimit të viteve.

“Një detyrë të veçantë shërbimet e Policisë së Rendit do të kenë edhe natën e ndërrimit të viteve ku do të mbajnë nën kontroll të gjitha ambjentet ku do të organizohen festimet e natës së ndërrimit të viteve. Efektivët e Shqiponjave, Reneas dhe Forcës Kombëtare do të jenë në gadishmëri për t’ju përgjigjur situatave”, u shpreh ai.

Ndërkohë, nëpërmjet doganës së Kakavijes kanë lëvizur në të dyja anët e kufirit për festat rreth 80 mijë persona.

The post Policia Kufitare dhe e Rendit inspektojnë situatën në Kakavijë, fluksi në rritje appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: