Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, se synon edhe një mandat në krye të shtetit, teksa asaj i skadon mandati si e para e vendit në prill të vitit 2026.
Osmani foli një ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, rezultatet preliminare të të cilave e nxorën fituese Lëvizjen Vetëvendosje me mbi 49 për qind të votave.
Nëse partitë politike nuk arrijnë ndonjë kompromis për çështjen e presidentit të ri, atëherë vendi do të përballet me një cikël të ri zgjedhor.
Presidentja Osmani tha se pret formimin e institucioneve të reja, dhe se do të ketë bisedime me deputetë të pushtetit dhe të opozitës në lidhje me kandidaturën e saj.
Përveç kësaj, Osmani foli edhe lidhur me marrëdhëniet me kryeministrin në detyrë të Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Ndërkaq, në lidhje me politikën e jashtme, presidentja komentoi marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën administratën e Donald Trumpit, dhe prapaskenat e takimeve me zyrtarë amerikanë.
Ajo foli edhe lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe për çështjen e zbatimit të marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve.
Radio Evropa e Lirë: Presidente, Kosova dje i pati zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Të dytat për këtë vit. Lëvizja Vetëvendosje doli fituese edhe kësaj radhe, me përqindje më të lartë, sipas rezultateve preliminare. Si i keni parë këto rezultate?
Vjosa Osmani: Në radhë të parë, unë dua t’i uroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për shembullin e një demokracie jashtëzakonisht të fortë elektorale që ata e kanë dëshmuar për të satën herë me radhë, dhe siç e thatë edhe ju, përkundër faktit që zgjedhjet janë përsëritur disa herë gjatë këtij viti, sepse kishim edhe zgjedhje lokale, qytetarët treguan se Kosova organizon zgjedhje model. Model do të thosha jo vetëm për rajonin tonë, por edhe përtej, me një demokraci jashtëzakonisht të fuqishme, me zgjedhje të rregullta, të cilat janë sipas standardeve më të larta demokratike që mund të kërkojë dikush.
Jo rastësisht, ky është njëri prej elementëve që e kanë ngritur vazhdimisht Kosovën në indekset ndërkombëtare për fuqizimin e demokracisë sonë, të arritura me të cilat jemi jashtëzakonisht krenarë, dhe jam shumë krenare edhe me mënyrën se si gjithçka ka shkuar dje, me daljen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, pjesëmarrjen e tyre masive, dhe siç e kam thënë edhe dje kur votova, sa më e madhe pjesëmarrja, aq më e qartë është rruga përpara. Dhe, siç po e shohim edhe nga rezultatet tashmë, do të kemi shumë shpejtë edhe parlament të konstituuar, edhe qeveri të zgjedhur.
The post Vjosa Osmani: Synoj edhe një mandat si presidente appeared first on Euronews Albania.
