2025 në foto/ Imazhet që shenjuan ngjarjet kryesore nga Lapsi.al

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

6 JANAR) Sali Berisha pajtohet me masën “detyrim paraqitje” nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pas një viti në arrest shtëpie, por e shndërron paraqitjen në protesta para godinës së SPAK, nga ku sulmon Altin Dumanin.

27 Janar/ Serbët dalin në protesta masive në Beograd të udhëhequra nga studentët. Kërkohet transaparencë dhe përgjegjësi për korrupsionin që u bë shkak për vdekjen e 15 personave në stacionin e trenit në Novi Sad.

28 Janar/ Arkivoli me trupin e pajetë të Anastas Janullatos në katedralen “Ngjallja e Krishtit’ e cila është edhe banesa e tij e fundit. Në foto duket i përkulur kryeministri i Greqisë, Kiriakos Micotakis. Shërbesa e Janullatos në Shqipëri u shoqërua gjithnjë me polemika për drejtimin e kishës autoqefale të Shqipërisë nga një shtetas grek.

10 SHKURT/ Arrestohet kryetari i bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, zyrtari më i lartë në detyrë i arrestuar ndonjëherë me urdhër të SPAK. Fotot tregojnë momentet e fundit kur Erjon Veliaj ishte i lirë, duke dalë nga zyra. Që prej datës 10 shkurt ai po mbahet në paraburgimin e Durrësit dhe SPAK i ka vënë përballë 13 akuza.

10 SHKURT/ Lëvizja Vetëvendosje doli partia më e votuar në zgjedhjet parlamentare në Kosovë me 41% të votave. Albin Kurti deklaroi entuziast se do të arrinte të krijonte qeverinë e re, por për thuajse një vit, kjo ishte e pamundur për të.

11 SHKURT/ Kryeministri Edi Rama rikthehet në bashkinë e Tiranës, pas arrestimit të Erion Veliajt. Në ditët që pasojnë, ai do të shuajë protestat dhe do të shkarkojë të besuarit e Veliajt duke kryer emërime të reja.

12 SHKURT/ Rama duke mbajtur foton simbolike të drejtësisë së baraspeshuar. Në mbledhjen e grupit parlamentar sulmoi gjykatësin Erjon Bani që firmosi arrestimin e Erjon Veliajt. Megjithatë kundërvënia ndaj SPAK zgjati shumë pak dhe Rama iu rikthye shpejt mbështetjes për drejtësinë.

21 SHKURT/ Safet Bajri, i buzëqeshur përballë kamerave, pasi u arrestua nga Renea. Një prej emrave të njohur të botës së krimit, me ndikim në Shkodër kishte dhënë një intervistë në Top Channel ku mohonte krimet për të cilat akuzohej nga SPAK. Goditja ndaj grupit të Bajrave erdhi pas bisedave në SKY ECC, që zbuluan disa atentate në Shkodër.

28 SHKURT/ Përplasja spektakolare mes presidentit Donald Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë. Ky moment shenjoi një sjellje krejt tjetër të SHBA ndaj luftës në Ukrainë. Trump ende vazhdon përpjekjet për ta mbyllur konfliktin, pasi ka zbutur mjaftueshëm marrëdhëniet me Putin.

MARS/ Protesta të dhunshme në Stamboll pas arrestimit të një prej kundërshtarëve më të njohur të Erdoganit, kryetarit të bashkisë së Stambollit Ekrem Imamoglu. Ai është ende në burg dhe akuzohet për korrupsion dhe pjesëmarrje në organizata që veprojnë kundër vendit.

PRILL/ Rama personalizon garën për 11 Majin. Slogani i fushatës së Partisë Socialiste për mandatin e katërt shkruan “Shqipëria 2030 në BE! Vetëm Me Edin dhe PS”

PRILL/ Berisha në Breshia, Itali në miting me emigrantët shqiptarë atje. Në krah të tij janë njerëzit që i kanë dhënë formë fushatave të Donald Trump, Chris Lacivita dhe Paul Manafort. PD kontraktoi një kompani lobimi në SHBA duke arritur tek disa nga njerëzit më të afërt të kabinetit të Trump.

MAJ/ Ylli në ngjitje i Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 Majit, Zegjine Çaushi, aktualisht deputete e Kuvendit, e zgjedhur me votat e qytetarëve të Fierit. Krah saj, Belinda Balluku, drejtuese e fushatës në Fier që arriti një rezultat rekord në 11 Maj.

MAJ/ Shqipëria priti edicionin e 108 të “Giro d’Italia”. Shuma që pagoi qeveria shqiptare për garën elitë të çiklizmit në Durrës, Tiranë dhe Vlorë është 7 milionë euro.

8 MAJ/ Tym i bardhë nga oxhaku i Kapelës Sistine në Vatikan, duke sinjalizuar se është zgjedhur Papa Leoni, që do pason Papa Françeskun.

MAJ/ Rama bën parashikimin për zgjedhjet parlamentare në Kuç të Vlorës. Synimi ishte nga 78 deri në 88 deputetë në rastin më të mirë. Procesi u mbyll me 83 mandate në të gjithë vendin për Partinë Socialiste.

16 MAJ/ Rama ulet në gjunjë para Xhorxhia Melonit. Tapeti i kuq është shtruar për pritjen e liderëve të BE në Tiranë, që erdhën pak ditë pas zgjedhjeve. Meloni po tenton të sjellë në Shqipëri refugjatët e inkriminuar të Italisë të izoluar në burgun e Gjadrit.

QERSHOR/ Edi Rama në dasmën e Alex Soros në SHBA. Në ceremoni ishin emra të njohur të demokratëve si Bill e Hillary Clinton, Kamala Harris dhe financieri i njohur britanik James Rothschild. Kryeministri i Shqipërisë ka mbajtur një fjalim në dasëm raportuan mediat amerikane.

QERSHOR/ Rama bën për ujë të ftohtë Ermal Dredhën kryebashkiakun e Vlorës gjatë festës së Partisë Socialiste. Shkak mosmarrëveshjet e brendshme që çuan në largimin e Dredhës nga detyra dhe zëvëndësimin e tij me Bruna Mersinin.

QERSHOR/ Rrënojat e impianteve bërthamore në Iran, pas sulmeve nga SHBA. Bota mbajti frymën për disa orë nga frika e përshkallëzimit drejt një lufte të tretë botërore.

KORRIK/ Jared Kushner dhe Ivanka Trump pas një dreke në Vlorë. Vizita e tyre është parathënie e projektit për shndërrimin e Sazanit në një ishull ekskluziv për ultra-të pasurit. Mbetet në dyshim, interesi i qytetarëve shqiptarë në këtë marrëveshje.

KORRIK/ Banor i Thethit në protestë para fadromave. Në korrik, IKMT ndërmori një aksion për prishjen e bujtinave duke u përplasur me banorët që kishin besuar premtimet e kryeministrit Rama për t’u kthyer në vendin e tyre dhe për të ndërtuar bujtina për turistët.

GUSHT/ Ushtarë shqiptarë flenë të rraskapitur në rrugë, pas një nate lufte me zjarret. Këtë vit raportohet se u dogjën rreth 50 mijë hektarë pyje në Shqipëri.

GUSHT/ Protestë e gazetarëve të News24 jashtë godinës së televizionit. Policia bllokoi ambjentet dhe gazetarët u nxorrën jashtë. Sinjali i transmetimit ishte ndërprerë, pasi godina i kaloi në pronësi ushtrisë.

23 SHTATOR/ Karrigia bosh e kryetarit të bashkisë së Tiranës. Këshilli bashkiak votoi në unanimitet për shkarkimin e Erion Veliajt me urdhër të Edi Ramës. Kryebashkiaku mbetet ende në qelitë e paraburgimit në Durrës.

TETOR/ Protesta pro Palestinës në Tiranë. Një grup qytetarësh shpresin solidaritet me banorët e Gazës që gjenden nën sulmet e vazhdueshme të ushtrisë izraelite. Protesta të ngjashme u zhvilluan në të gjithë botën.

2 TETOR/ Rama lëshon një shaka të pamenduar për Trump, i cili kishte bërë një lapsus mbi Shqipërinë. Gafa bëhet virale dhe më vonë kryeministri i Shqipërisë detyrohet të bëjë një ndjesë publike.

TETOR/ Nga SHBA del një foto e papublikuar më parë mes Edi Ramës dhe Charles McGonigal, ish kreu i kundërzbulimit në FBI e Neë York, që është burgosur për tradhti.

6 TETOR/ Elvis Shkambi, pak minuta pas vrasjes së gjykatësit Astrit Kalaja duke pritur policinë në dalje të Apelit. Pasi ka kryer krimin, ai qëndron me duar në xhepa.

11 TETOR/ Rey Manaj feston golin kundër kombëtares së Serbisë, ku kuqezinjtë arritën një fitore historike. Shanset e Shqipërisë për të shkuar në botëror janë ende të hapura.

 

TETOR/ Florian Binaj nis fushatën në Tiranë si kandidat i opozitës. Për herë të parë, arrihet një mbështetje e disa partive të reja të opozitës me Partinë Demokratike.

TETOR/ Erjon Veliaj vjen i prangosur në Gjykatën Kushtetuese, për të kundërshtuar shkarkimin e tij nga detyra. Zgjedhjet e pjesshme për bashkinë e Tiranës anulohen.

31 TETOR/ Belinda Balluku hyn në SPAK, kur merret e pandehur për tenderin e tunelit të Llogarasë. Nis për zv.kryeministren një spirale përplasjesh me SPAK dhe GJKKO.

NËNTOR/ Xhoana Nano, e veja e Fatos Nanos gjatë ceremonisë së përcjelljes së ish-kryeministrit. Nano ndërroi jetë në spital në moshën 73-vjeçare.

NENTOR/ Zohran Mamdani, feston fitoren si kryebashkiaku i 111-të i Nju Jorkut. Për herë të parë një socialist demokrat të deklaruar drejton punët në atë që konsiderohet kryeqyteti i financës globale.

11 NëNTOR/ Transportohet nga makina trupi i pajetë i Gilmando Danit, njeriu që konsiderohej si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit dhe u ekzekutua në një atentat në Rinas. Bashkë me të vritet edhe Muçi Shaljani, një agjent i AMP-së.

DHJETOR/ Mbetjet e Shqipërisë ndotin plazhet e Dubrovnikut në Kroaci. Tonelata me mbeturina u transportuan nga një stuhi në Detin Adriatik.

11 DHJETOR/ Ambasadorët e vendeve të BE dhe e ngarkuara me punë e SHBA ndjekin mbledhjen e Këshillit të Lartët ë Prokurorisë, për t’u siguruar që do të zgjidhej i preferuari i tyre, Klodian Braho. Dhe ashtu ndodhi.

DHJETOR/ Foto nga dosja e SPAK për skandalin e AKSHI-t. Drejtuesja e institucionit Mirlinda Karçanaj në zyrën e Ergys Agasit, i konsideruar si koordinator i krimit të Edi Ramës.

DHJETOR/ Protestues vlonjatë prishin mbrëmjen gala të bashkisë në teatrin Petro Marko. Prej 4 ditësh, nuk furnizoheshin me ujë në shtëpitë e tyre.

DHJETOR/ Albin Kurti shënon një fitore akoma më të thellë në zgjedhjet në Kosovë. Tashmë nuk ka nevojë për aleancën me partitë e tjera.

FOTO/ Skandalet e shumta të korrupsionit në qeverinë e Ramës frymëzojnë meme të reja. Në mediat ndërkombëtare qarkullon ky foto-montazh që tregon se si do të arrestohet Diella, ministrja e parë me inteligjencë artificiale në botë./Lapsi.al

The post 2025 në foto/ Imazhet që shenjuan ngjarjet kryesore nga Lapsi.al appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: