Gazetari shqiptar Julian Kapasi në një lidhje live nga Belgjika për “NOW” me Thimi Samarxhi tregoi detajet lidhur me zhvillimet në gjyqin e Franc Çopjas i cili po gjykohet për akuzat e trafikut ndërkombëtar të drogës nga vendet e Amerikës Latine drejt BE-së.
Kasapi theksoi se ky gjyq është shumë serjoz por seanca e djeshme u karakterizua nga një problematikë e pazakontë, pasi u ndërpre për shkak të pranisë, siç thuhet, të buburreceve në sallën e gjyqit.
“Pallati i drejtësisë në Belgjikë është qindra vjeçar, i është nënshtruar një rikonstruktimi, por vetëm në fasadë, kurse nga brenda vijon të jetë i vjetër. Thuhet se anëtarja e trupit gjykues ka parë një buburrec dhe ka ndërprerë menjëherë seancën në ngarkim të Franc Çopjas dhe tetë personave të tjerë. Kryetarja e trupit gjykues ka thënë se të gjitha rrobat duhet të lahen në 90 gradë dhe më pas të futen në frigorifer, është kërkuar dezinsektim i ambienteve dhe rrobave është për të qeshur, por nga ana tjetër gjyqi ndaj Çopjas është tepër serioz. Franc Çopja, është një ndër ekstradimet e para që Belgjika ka bërë nga Dubai. Pritja për nisjen e procesit ishte me interes, ku janë edhe tetë persona të tjerë në kuadër të procedimit për trafikun ndërkombëtar të kokainës, ndërsa sipas të dhënave të Sky ECC janë transportuar nga Amerika Latine drejt BE-së rreth 15 ton kokainë – një shifër rekord që thuhet se nuk e ka arritur askush më parë. Po ashtu bëhet fjalë për eliminimin e Ardit Spahiut në Molenbeek, për shkak të përplasjes së grupeve kriminale që kanë operuar në Belgjikë,” tha gazetari Kasapi.

The post Gazetari tregon detajet nga gjyqi i Franc Çopjas në Belgjikë: Seanca u ndërpre prej buburrecave appeared first on Euronews Albania.
