Qindra punëtorë dhe sindikata sot mbushën rrugët e Shkupit në Maqedoninë e Veriut, duke protestuar për 1 Majin, me pankarta dhe thirrje për dinjitet.
Qytetarët marshuan në qendër duke theksuar se rritja e çmimeve ka goditur drejtpërdrejt standardin e jetesës, ndërsa pagat, sipas tyre, kanë mbetur të pamjaftueshme për të përballuar shpenzimet mujore. Kërkuan rritje urgjente të pagës minimale në 600 euro.
“Sot kemi dalë t’u themi se sipas të dhënave të tyre, gjysma e punëtorëve në Maqedoni jeton me më pak se 600 euro. Një e treta jeton nën pragun e varfërisë. Kemi dalë t’u themi se ajo që po bëjnë nuk mjafton”, është shprehur Sllobodan Trendafilov, kryetar i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM).
Sindikatat kërkojnë edhe respektim të drejtave të punëtorëve dhe masa konkrete për përmirësimin e kushteve të punës. Ata paralajmërojnë se nëse nuk ka reagim nga institucionet, do të pasojnë protesta të tjera dhe forma të reja presioni.
“Po ua vjedhin të rinjve edhe shkëndinë e fundit. Po na i marrin pagat. Turp për çdo denar që ua marrin punëtorëve. Këto ndërtesa janë ndërtuar me djersën tonë, ndërsa familjet po ikin nga vendi”, ka thënë Ivan Peshevski, kryetar i Sindikatës së Ndërtimtarisë, Industrisë dhe Projektimit.
Protesta u zhvillua pa incidente, me prani të shtuar të policisë. Mesazhi kryesor që dominoi ishte i qartë: “Punëtorët meritojnë dinjitet, jo mbijetesë”.
Nga ana tjetër, koalicioni qeveritar VLEN, përmes një reagimi, thekson se mbrojtja e të drejtave të punëtorëve dhe rritja e pagave mbeten prioritet. Ata përmendin rritjen e pagës minimale në 430 euro, si dhe masa për mbështetjen e sektorëve të ndryshëm dhe përmirësimin e standardit jetësor, ndërsa premtojnë se paga minimale do të rritet në 500 euro.
The post Protesta për 1 Majin në Shkup, punëtorët kërkojnë paga më të larta appeared first on Euronews Albania.
