Serbia zgjedh avionin rus për shuarjen e zjarreve, Brukseli: Me Rusinë nuk mund të ketë “business as usual”

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Serbia nuk ka aktivizuar Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian për të kërkuar ndihmë ndërkombëtare në përballimin e zjarreve në Deliblatska Pescara, ndërsa ka pranuar ndihmë nga Rusia.

Për N1, Komisioni Evropian konfirmoi se Beogradi nuk e ka aktivizuar deri tani mekanizmin evropian, ndërsa në Serbi ka mbërritur një avion rus i tipit “Iljusin”, i cili është angazhuar në operacionet për shuarjen e flakëve.

Nga Brukseli deklarojnë se, në rast të një kërkese zyrtare nga Serbia, BE-ja do të koordinonte menjëherë mobilizimin e ndihmës nga vendet partnere.

Deri tani, Beogradi i ka kërkuar Bashkimit Evropian vetëm imazhe satelitore nga programi “Kopernikus”. Këto të dhëna tashmë u janë vënë në dispozicion ekipeve lokale të zjarrfikësve.

Brukseli: Marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të jenë “business as usual”

Vendimi i Serbisë për të pranuar ndihmë nga Rusia ka nxitur reagim politik nga Komisioni Evropian.

Brukseli thekson se dëshiron ta shohë Serbinë si një partner të besueshëm, por paralajmëron se marrëdhëniet me Rusinë dhe regjimin e Vladimir Putinit nuk mund të vazhdojnë sikur gjithçka të jetë normale, në një kohë kur Moska po zhvillon luftën në Ukrainë.

“BE-ja dëshiron të llogarisë në Serbinë si një partner të besueshëm. Siç kemi thënë vazhdimisht, marrëdhëniet me Rusinë dhe regjimin e Putinit nuk mund të jenë ‘business as usual’, ndërsa Rusia zhvillon një luftë agresore, të paprovokuar dhe të pajustifikuar në territorin evropian të Ukrainës”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian.

Beogradi: Nuk kishte avionë të tillë nga BE-ja

Ministria e Brendshme e Serbisë ka falënderuar Moskën për dërgimin e avionit “Iljusin”.

Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq, kishte deklaruar më herët se në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së nuk kishte avionë zjarrfikës me një kapacitet të tillë.

Megjithatë, Komisioni Evropian sqaron se mekanizmi nuk ishte aktivizuar fare nga Serbia. Sipas Brukselit, një kërkesë zyrtare do të mjaftonte për nisjen e menjëhershme të koordinimit me vendet evropiane.

Zjarret në Deliblatska Pescara kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore. Deri tani raportohet se janë djegur rreth 3,500 hektarë, ndërsa nuk janë raportuar persona të lënduar.

The post Serbia zgjedh avionin rus për shuarjen e zjarreve, Brukseli: Me Rusinë nuk mund të ketë “business as usual” appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: