Partia Demokratike e Kosovës ka theksuar nevojën që procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë që mbi pesë vjet, të përmbyllet me drejtësi.
Në një deklaratë për mediat të PDK theksohet se, “ky proces është karakterizuar me zvarritje të panevojshme, paqartësi procedurale dhe vendime që kanë ngritur shqetësime të vazhdueshme mbi standardet e drejtësisë dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut”.
“Këto rrethana kanë cenuar perceptimin e drejtësisë së barabartë dhe kanë rënduar padrejtësisht mbi çlirimtarët dhe ish-udhëheqësit e shtetit tonë, të cilët tashmë kanë kaluar një periudhë të gjatë në paraburgim.
Në këtë fazë përmbyllëse është thelbësore që gjykimi të përqendrohet ekskluzivisht te drejtësia e paanshme, te faktet dhe te provat, duke u larguar nga çdo qasje politike, interpretuese apo spekulative që e ka shoqëruar këtë proces gjatë këtyre pesë viteve.
Dëshmitarët kyç në këtë proces gjyqësor kanë hedhur poshtë në mënyrë të qartë pretendimet kryesore të aktakuzës, duke rrëzuar çdo dyshim mbi fajësi individuale, grupore apo komanduese. Këto dëshmi kanë kontribuar ndjeshëm në sqarimin e rrethanave faktike dhe kanë rrëzuar bazën e akuzave të prokurorisë”, thuhet në deklaratën e PDK.
The post PDK: Gjykimi në Hagë të përmbyllet me drejtësi dhe liri për çlirimtarët appeared first on Euronews Albania.
