Vuçiç: Gjenocidi është term juridiko-politik

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Presidenti i Serbisë, Aleksandwr Vuçiç, tha se ai ka shprehur respekt për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë, por se kjo, sipas tij, nuk është e mjaftueshme për politikanët në Bosnje e Hercegovinë.

Në një intervistë për Televizionin Federal (FTV) më 26 janar, ai tha po ashtu se “popullit i mjafton respekti për viktimat”, ndërsa politikanët janë ata që këmbëngulin në përdorimin e fjalës “gjenocid”.

“U përkula para viktimave, tregova nderim dhe respekt, por për disa kjo nuk ishte e mjaftueshme sepse dikush donte të bënte një shfaqje politike”, tha Vuçiç.

Aleksandër Vuçiç, si kryeministër i Serbisë, kishte marrë pjesë në përkujtimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë në korrik të vitit 2015.

Në atë rast, disa pjesëmarrës në ngjarjen përkujtimore e kishin sulmuar verbalisht dhe fizikisht Vuçiçin, duke hedhur në drejtim të tij gurë dhe shishe, dhe më pas ai ishte larguar nga aty.

Vuçiq në intervistën për FTV tha se vazhdon të mbajë qëndrimin se vrasja e më shumë se 8.000 boshnjakëve në Srebrenicë në vitin 1995 nuk mund të quhet gjenocid.

“Bëhet fjalë për një formulim juridiko-politik”, u shpreh presidenti i Serbisë.

Pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, Beogradi zyrtar dhe autoritetet e Republikës Sërpska mohojnë se në Srebrenicë në korrik të vitit 1995 është kryer gjenocid ndaj boshnjakëve, duke folur se bëhet fjalë për një “krim të tmerrshëm”.

The post Vuçiç: Gjenocidi është term juridiko-politik appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: