Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike në Kosovë dhe dakordësisë së arritur me Lëvizjen Vetëvendosje për çështjen e Presidentit të Kosovës, ku palët kanë propozuar Bekim Sejdiun si kandidat.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Abdixhiku ka kritikuar zhvillimet politike, duke theksuar se LDK-ja nuk kishte refuzuar një marrëveshje qeverisëse me Vetëvendosjen, pasi, sipas tij, një marrëveshje e tillë nuk ekzistonte.
“Dje nuk u refuzua asnjë marrëveshje qeverisëse me VV-në, sepse një marrëveshje e tillë nuk ekzistonte. LDK-ja kishte vendosur të qëndronte në OPOZITË. Të gjithë deputetët tanë ishin pajtuar me këtë pozicion”, shkroi Abdixhiku.
Ai akuzoi palët politike se një ditë më parë ishte refuzuar zgjidhja për Presidentin e Kosovës dhe kandidati i propozuar nga LDK-ja, duke argumentuar se kjo situatë e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja.
“Dje u refuzua zgjidhja e Presidentit të Kosovës. U refuzua votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja dhe, me këtë refuzim, u përcaktua edhe fati i vendit, zgjedhje të reja”, deklaroi ai.
Abdixhiku u shpreh gjithashtu kritik ndaj atyre që, sipas tij, po e paraqesin këtë zhvillim si një arritje politike.
“Dëm mund të bëjë çdo kush. Për këtë, ja dora!”, shkroi ai.
Kreu i LDK-së e lidhi situatën aktuale edhe me rezultatin e dobët të partisë në zgjedhjet e vitit 2020, duke iu drejtuar kritikëve të tij me tone të ashpra.
“Siç ju kam thënë në vitin 2020, kur u verbuat dhe sollët LDK-në në 12%; po ju them dhe tani, ky veprim është dëm vetëm ndaj LDK-së”, u shpreh Abdixhiku.
Sipas tij, zgjedhjet e reja nuk kanë qenë kërkesë e LDK-së dhe as vendim i anëtarësisë së saj.
“Zgjedhjet e reja nuk kanë qenë agjendë e LDK-së. Nuk kanë qenë as kërkesë dhe as vendim i anëtarësisë sonë”, theksoi ai.
Në fund të reagimit, Abdixhiku tha se, pavarësisht situatës së krijuar, LDK-ja nuk do të dorëzohet.
“Por jo dorëzim. Jemi shumë. Jemi në të drejtë. E kemi detyrim. Republika megjithatë do të triumfojë!”, përfundoi ai.
The post Abdixhiku reagon pas dakordësisë me VV-në për Presidentin: Zgjedhjet e reja nuk kanë qenë agjendë e LDK-së appeared first on Euronews Albania.
