Europa po vlerëson gjithnjë e më shumë profesionistët e kualifikuar nga Shqipëria, duke u dhënë atyre karta blu të Bashkimit Europian, që janë leje pune dhe qëndrimi për specialistë jo anëtarë të BE-së. Sipas të dhënave të Eurostat, që nga viti 2014 janë dhënë gjithsej 5 405 karta blu për shtetasit shqiptarë, me një rritje të fortë që nga viti 2019, kur filloi një cikël masiv emigracioni i profesionistëve të kualifikuar.
Në vitin 2023 u dhënë 825 karta blu, ndërsa në 2024 kjo shifër ra në 592, megjithatë numri mbetet dukshëm më i lartë se në vitet e mëparshme. Për krahasim, në vitin 2012 ishin lëshuar vetëm 15 karta blu, ndërsa rekordi për një vit deri tani është 882 karta, në vitin 2021.
Gjermania mbetet destinacioni kryesor për profesionistët shqiptarë, duke dhënë pjesën dërrmuese të këtyre lejeve. Në 2021, Gjermania lëshoi 823 karta blu për shqiptarë, që përbënte rreth 93% të totalit të BE-së, ndërsa në 2023 u dhanë 716 të tilla, ose rreth 87% të totalit. Ata që punojnë me kartë blu në Gjermani përfitojnë pagë minimale prej rreth 43 000 euro në vit.
Pas Gjermanisë, vendet që kanë dhënë leje blu për shqiptarët janë Italia, Austria dhe Polonia, por me nivele shumë më të ulëta. Rritja e kartave blu për shqiptarët reflekton kërkesën e tregut europian për fuqinë punëtore të kualifikuar, veçanërisht në sektorë si teknologjia e informacionit dhe mjekësia.

Çfarë është Karta blu
Karta Blu e BE-së është një leje pune dhe qëndrimi që u jepet shtetasve jo të Bashkimit Europian me kualifikime të larta profesionale, për të punuar në një vend anëtar të BE-së.
Ajo synon të tërheqë specialistë të huaj në profesione të kërkuara, duke u ofruar atyre kushte të favorshme pune, përfshirë të drejtën e qëndrimit familjar, mobilitet brenda BE-së dhe mundësi për qëndrim afatgjatë. Karta Blu jepet mbi bazën e një kontrate pune me pagë minimale të përcaktuar dhe kualifikime universitare.
Për të përfituar nga Karta Blu e BE-së, aplikantët duhet të plotësojnë një prag minimal page, i cili ndryshon sipas vendit anëtar dhe sektorit të punës. Këto pragje përcaktohen nga autoritetet kombëtare dhe zakonisht përfaqësojnë një përqindje të caktuar të pagës mesatare bruto në vendin përkatës. Për shembull, në Gjermani për vitin 2025, paga minimale vjetore bruto për Kartën Blu është 48,300 euro për profesionet e përgjithshme dhe 43,759.80 euro për profesionet me mungesë të theksuar, si IT, inxhinieri dhe kujdes shëndetësor.
Profesionet me prioritet të lartë për Kartën Blu të BE-së janë Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK); Inxhinieri; Mjekësi dhe kujdes shëndetësor; Shkencat natyrore dhe matematika; Arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor; Financa dhe kontabiliteti.
The post Europa rekruton talentet, 5 400 karta blu për profesionistët shqiptarë në 10 vite appeared first on Euronews Albania.
