Kërkesa e SPAK për imunitetin e Belinda Ballukut është refuzuar për të dytën herë nga kryeministri Edi Rama, që thotë se për momentin prokurorët duhet të kënaqen me pezullimin e saj nga detyra si zv.kryeministre. Për të sfiduar prokurorët e SPAK, Rama ka mbledhur me urgjencë grupin parlamentar, para se të niset drejt Brukselit ku është thirrur nga Presidenti i Këshillit të Evropës, Antonio Kosta.
“Nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit” shkruan Rama në mesazhin pas mbledhjes së grupit, një qëndrim që tregon se mazhoranca do të vazhdojë ta zvarrisë akomë më tej përgjigjen për prokurorët.
Fillimisht, socialistët e zvarritën vendimin për arrestimin apo jo të Ballukut duke e kushtëzuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për masën e pezullimit të saj nga detyra. Edhe pse çështja e pezullimit të Ballukut nuk kishte asnjë lidhje me kërkesën e SPAK për arrestimin e saj, Rama e përdori këtë si një pretekst për të mos i dhënë përgjigje prokurorëve dhe për të shtyrë votimin në parlament.
Dosja “Balluku” mbërrin në Bruksel/ Çfarë ndodhi në mbledhjen që alarmoi Edi Ramën
Këshilli i Mandateve u mblodh vetëm një herë, pastaj kreu i kuvendit Niko Peleshi e mbylli mbledhjen pa dhënë një datë për një mbledhje të dytë. Edhe pse deputetët e opozitës kërkuan me ngulm një mbledhje tjetër, socialistët refuzuan për pothuajse një muaj e gjysëm.
Tani që Gjykata Kushtetuese e dha verdiktin e saj dhe la në fuqi pezullimin e Ballukut nga detyra, Rama gjen një pretekst tjetër, se SPAK duhet të presë deri sa socialistët të bëjnë një ndërhyje në legjislacion.
“Deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit” shprehet kryeministri, duke lënë në fuqi variantin e djegies së kërkesës së SPAK përmes afateve.
Socialistët po bëhen gati të shtojnë në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale se masa e pezullimit nga detyra nuk vlen edhe për ministrat, ashtu si për personat e zgjedhur. Sipas Ramës një ndërhyrje në ligj do të qartësojë se një antar qeverie nuk mund të pezullohet “sepse pezullimi paralizon funksionin, pra institucionin që ai/ajo drejton”.
Por duke pritur këtë pretekst të dytë, socialistët synojnë të djegin afatet e kërkesës së SPAK.
Rregullorja e kuvendit parashikon që nëse kërkesa e SPAK për autorizimin e arrestimit të një deputeti nuk votohet brenda tre muajsh, atëherë ajo konsiderohet e rrëzuar. Afati final për arrestimin e Ballukut, përmbushet në datën 16 Mars.
SPAK e kërkoi pezullimin e Ballukut nga detyra pasi pretendon se ka prova se ministrja kishte kërcënuar vartësit e saj që kishin dëshmuar më herët në SPAK.
Kërcënime dhe tendera/ Si po e zgjeron SPAK hetimin për Ballukun
Për herë të parë, shumica socialiste po sfidon SPAK, duke ngritur një mur politik për të mbrojtur Belinda Ballukun nga arrestimi. Më herët, Rama ka propaganduar se është i vetmi garant i drejtësisë së re, madje në zgjedhjet e 11 Majit hyri si promotor i drejtësisë së re që do të realizojë integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Por tashmë 850 mijë votat e 11 Majit po shërbejnë për të bllokuar hetimin e SPAK.
Nëse për Ahmetajn, Bllakon apo Çyrbjen socialistët votuan pa mëdyshje pro autorizimit për arrestimin, për Belinda Ballukun po merret një kthesë që e fut mazhorancën në përplasje direkte me prokurorët e SPAK dhe gjykatësit e GJKKO dhe Rama ndryshe bën, e ndryshe thotë, kur shkruan se “SPAK-u nuk preket, vetëm mbështetet”.
Presione punonjëseve të ministrisë/ Pse e kërkon SPAK arrestimin e Ballukut
Mesazhi i plotë i kryeministrit Rama për refuzimin për arrestimin e Belinda Ballukut
1. Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të pezullohen kurrësesi nga askush duke u nisur nga një emër përveçëm, sepse pezullimi paralizon funksionin, pra institucionin që ai/ajo drejton.
2. Nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion.
3. E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit.
Një shtesë nga ana ime (shkruan Rama):
SPAK-u nuk preket, vetëm mbështetet. Liria dhe e drejta e çdo prokurori për të hetuar çfarëdoqoftë e këdoqoftë nuk preken, vetëm garantohen. Pavarësia kushtetuese e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, gjithashtu nuk preken. Vetëm garantohen.
The post Rama sidon SPAK: Nuk e jap imunitetin e Ballukut, do ndërhyj në legjislacion! appeared first on Lapsi.al.
