Pas eliminimit nga Botërori, ylli i Real Madridit largohet nga kombëtarja gjermane

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Antonio Rudiger ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij me kombëtaren gjermane. Mbrojtësi i Real Madridit e ka marrë vendimin pas eliminimit të Gjermanisë nga Botërori, ndërsa prej dy muajsh ka reflektuar mbi të ardhmen e tij ndërkombëtare.

33-vjeçari e bëri zyrtar vendimin këtë të martë përmes një deklarate në rrjetet sociale, vetëm 16 ditë para grumbullimit të radhës të Gjermanisë, i parashikuar për 17 shtator dhe që do të jetë nën drejtimin e trajnerit të ri, Jürgen Klopp.

Rudiger mbyll kështu një kapitull prej më shumë se 12 vitesh me fanellën e Gjermanisë. Ai debutoi më 13 maj 2014, në ndeshjen ndaj Polonisë, dhe gjatë kësaj periudhe regjistroi 86 paraqitje me katër herë kampionët e botës.

Edhe pse nuk arriti të fitojë një Europian apo Kupë Bote me kombëtaren, mbrojtësi e konsideron këtë periudhë një prej kapitujve më të rëndësishëm të karrierës së tij. Në këtë fazë, Rudiger ka zgjedhur të fokusohet te angazhimet me Real Madridin.

Në deklaratën e publikuar në rrjetet sociale, ai falënderoi shokët e skuadrës, stafin teknik, trajnerët që e kanë drejtuar ndër vite, si dhe tifozët gjermanë për mbështetjen.

“Pas një periudhe reflektimi, për mua ka ardhur momenti t’i jap fund karrierës me kombëtaren dhe t’i hap rrugë brezit të ri. Kur vesha për herë të parë fanellën e kombëtares gjermane në vitin 2014, nuk do ta kisha imagjinuar kurrë, as në ëndrrat e mia, se në fund do të arrija në 86 ndeshje ndërkombëtare”, shkroi Rudiger.

Mbrojtësi pranoi se mungesa e një trofeu madhor në turnetë e fundit dhe disa eliminime të dhimbshme mbeten pjesë e rrugëtimit të tij, por theksoi se periudha me kombëtaren do të mbetet gjithmonë e veçantë për të.

Rudiger shprehu mirënjohje të veçantë për ish-trajnerët Joachim Low, Hansi Flick dhe Julian Nagelsmann, të cilët, sipas tij, kanë pasur ndikim të rëndësishëm në karrierën e tij me kombëtaren. Ai falënderoi gjithashtu trajnerin e tij në ekipet e moshave, Horst Hrubesch, si dhe tifozët gjermanë, veçanërisht për atmosferën gjatë Europianit 2024, të zhvilluar në Gjermani.

“Për mua tani fillon një kapitull i ri, në të cilin do të përqendrohem plotësisht te klubi im. Faleminderit për këtë udhëtim që ndamë së bashku”, përfundoi Rudiger.

Me 86 ndeshje ndërkombëtare, Antonio Rudiger largohet nga kombëtarja gjermane pas më shumë se një dekade.

The post Pas eliminimit nga Botërori, ylli i Real Madridit largohet nga kombëtarja gjermane appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: