Capello: Ronaldo s’ka gjenialitetin e Messit dhe Maradonës, te Real Madridi mungon lidershipi

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Fabio Capello, megjithëse është tërhequr nga drejtimi i skuadrave që prej vitit 2018, vijon të jetë një zë i fortë në analizën e futbollit ndërkombëtar. Në një intervistë për programin “Hat-Trick” në kanalin egjiptian ON Sport, tekniku italian komentoi disa nga temat më të nxehta të momentit.

Duke folur për Cristiano Ronaldon, Capello vlerësoi aftësitë e tij si golashënues dhe atlet, por theksoi se portugezi nuk mund të krahasohet me Lionel Messin, Diego Maradonën apo Ronaldon brazilian. Sipas tij, Ronaldos i mungon “gjenialiteti” që karakterizonte këta tre emra të mëdhenj të futbollit.

Capello ndaloi edhe te Barcelona, të cilën e cilësoi si një skuadër me “futboll të bukur dhe shumë argëtues”, por vuri në dukje si dobësi varësinë e tepruar nga kurthi i pozicionit jashtë loje, që sipas tij, në disa raste lë kundërshtarin vetëm përballë portës.

Ish-trajneri i Real Madrid foli edhe për çështje të lidershipit në dhomat e zhveshjes, duke kujtuar eksperiencën me Ronaldon brazilian, të cilin e përshkroi si një “udhëheqës negativ” për shkak të sjelljeve jashtë fushe dhe mungesës së disiplinës në stërvitje.

Sa i përket Real Madridit aktual, Capello kritikoi disa qëndrime brenda skuadrës, duke lënë të kuptohet se gjeste si ai i Kylian Mbappé pas humbjes në Superkupën e Spanjës tregojnë mungesë autoriteti nga ana e trajnerit. Ai komentoi gjithashtu situatën e Jude Bellingham, duke theksuar se me Carlo Ancelottin mesfushori anglez kishte më shumë liri, ndërsa tani duket i kufizuar në lojën e tij.

The post Capello: Ronaldo s’ka gjenialitetin e Messit dhe Maradonës, te Real Madridi mungon lidershipi appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: