Menjëherë pas zgjedhjes si kryetare e Kuvendit të Kosovës, me 66 vota pro, 44 kundër dhe 8 abstenin, Albulena Haxhiu u ndal në fjalimin e saj te gjyqi në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo theksoi se historia është e qartë dhe lufta e UÇK-së ka qenë një luftë e drejtë për çlirimin e vendit, ndërsa krimet e kryera nga Serbia duhet të njohin drejtësi.
Haxhiu u shpreh se institucionet e Republikës duhet të qëndrojnë pranë qytetarëve në momente të vështira dhe theksoi pritshmërinë që ish-krerët e UÇK-së të kthehen sa më parë në vend dhe në familjet e tyre.
Ajo shtoi se duhet të ketë qëndrim të përbashkët për këto çështje dhe se dera e saj do të jetë e hapur për deputetët për ide dhe kritika, në shërbim të një Kuvendi funksional dhe me dinjitet.
“Ju falënderoj për mbështetjen dhe marr këtë detyrë me vetëdijen e plotë për peshën kushtetuese. Ky besim do ta nderoj me punë të përditshme, transparencë dhe përkushtim për të qenë në krye të Kuvendit. Do të shërbej për Republikën, rendin dhe demokracinë. Sot debatojmë këtu lirshëm falë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, burrave dhe grave që dhanë gjithçka për vendin. Sot, këtu vijmë pas seancës ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Historia është e qartë dhe e drejtë: lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë për çlirimin e vendit. Dihet kush ka qenë agresori dhe kush ka kryer krime në vend. Këto krime janë kryer nga Serbia, e cila kurrë nuk u përball me drejtësinë seriozisht. Përkundrazi, kriminelët e luftës u amnistuan dhe u ricikluan në pushtet. Presim që ish-krerët e UÇK-së të kthehen sa më parë në vend dhe në familjet e tyre, dhe shpresojmë që këto procedura të prokurorisë të marrin fund sa më shpejt. Duhet të flasim dhe të kemi qëndrim të përbashkët për këto çështje, me zotimin se Republika ka institucione që i dalin vendit në momente të vështira. Dera ime do të jetë e hapur për çdo deputet për ide dhe kritika, për të bërë Kuvend funksional. Dallimet t’i kthejmë në energji – Kosova e meriton një Kuvend që punon me dinjitet. Kjo është shtëpia e të gjithë qytetarëve tanë. Detyra ime është që Kuvendi të funksionojë me dinjitet, transparencë dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, duke siguruar që secili prej jush të veprojë me dinjitet dhe respekt. Kemi një detyrë të përbashkët: t’u shërbejmë qytetarëve me ndershmëri. Ata presin zgjidhje nga ne, dhe përgjegjësitë tona janë të përbashkëta. Uroj që debatet të jenë me argumente dhe të punojmë në të njëjtin drejtim, në shërbim të Kosovës dhe qytetarëve të saj”, tha ajo.
The post “Lufta e UÇK-së për çlirimin e vendit”, Albulena Haxhiu flet pas zgjedhjes si kryetare e Kuvendit appeared first on Euronews Albania.
