Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI përmes një postimi në “Facebook” ka njoftuar se deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut kanë dorëzuar këtë premte në procedurë parlamentare një rezolute në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas BDI, kjo rezolutë mbështetet në parimet kushtetuese dhe në standardet ndërkombëtare të drejtësisë, duke riafirmuar përkushtimin ndaj shtetit të së drejtës, pavarësisë së gjyqësorit dhe respektimit të plotë të të drejtave themelore të njeriut.
“Nëpërmjet kësaj nisme parlamentare kërkohet që proceset gjyqësore që po zhvillohen pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës të zhvillohen në përputhje të plotë me standardet më të larta ndërkombëtare, duke garantuar prezumimin e pafajësisë, mbrojtjen efektive dhe gjykimin brenda një afati të arsyeshëm për të gjithë të akuzuarit.
Rezoluta, ndër të tjera, vlerëson kontributin e udhëheqësve institucionalë dhe të pjesëtarëve të luftës çlirimtare të Kosovës në proceset e paqes, stabilitetit dhe integrimit euroatlantik të rajonit, duke theksuar se drejtësia ndërkombëtare duhet të jetë e paanshme, profesionale dhe e pavarur nga çdo ndikim politik”, thuhet ndër të tjera në postim.
Më tej BDI thekson se deputetët nënshkrues u bëjnë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit, pa dallim përkatësie politike, që t’i bashkohen kësaj nisme dhe ta mbështesin Rezolutën me votë. Sipas njoftimi kjo është në funksion të forcimit të parimeve universale të drejtësisë dhe respektimit konsekuent të standardeve ndërkombëtare për një proces të drejtë dhe të paanshëm.
The post Deputetët e Maqedonisë së Veriut dorëzojnë një rezolutë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK appeared first on Euronews Albania.
