Nga shtatori ndalohet mishi brazilian, reagom AKU: Përjashtohen ngarkesat e certifikuara më herët

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Importi i mishit të gjedhit dhe shpendëve nga Brazili drejt Shqipërisë do të ndalohet pas datës 3 shtator 2026, në zbatim të ndryshimeve të reja të rregullave të Bashkimit Evropian për importet e produkteve me origjinë shtazore.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka sqaruar se ndalimi nuk do të prekë ngarkesat që janë porositur më herët dhe për të cilat certifikata shëndetësore veterinare është nënshkruar ose lëshuar përpara 3 shtatorit.

Kjo do të thotë se edhe nëse këto ngarkesa mbërrijnë në Shqipëri pas kësaj date, ato do të lejohen të hyjnë në vend dhe do të pranohen në pikat e kontrollit kufitar.

Njoftimi i AKU:

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në vijim të ndryshimeve në Rregulloren Zbatuese të Komisionit (BE) 2026/1189, me të cilën është ndryshuar Rregullorja Zbatuese e Komisionit (BE) 2021/405, bën me dije se Brazili është hequr nga lista e vendeve të treta ose rajoneve të tyre të autorizuara për hyrjen në Bashkimin Evropian të dërgesave të kategorive të caktuara të kafshëve dhe produkteve me origjinë shtazore të destinuara për konsum njerëzor.

Gjithashtu, referuar edhe Urdhrit të Ministrit nr. 294, datë 13.06.2006, “Për importin e mishit nga Republika Federative e Brazilit”, importimi i këtyre produkteve kushtëzohet nga miratimi prej Bashkimit Evropian i zonave dhe stabilimenteve të prodhimit.

Në kuadër të zbatimit të ndryshimeve, bëjmë me dije se më 28 maj 2026, në Bruksel, është zhvilluar një takim ndërmjet përfaqësuesve të UECBV (Bashkimi Evropian i Tregtisë së Blegtorisë dhe Mishit) dhe DG SANTE, gjatë të cilit përfaqësuesit e Komisionit Evropian kanë sqaruar se ngarkesat për të cilat certifikata përkatëse është lëshuar përpara datës 3 shtator 2026 do të vijojnë të pranohen në Pikat e Kontrollit Kufitar (BCP) të Bashkimit Evropian, pasi kërkesat e reja nuk zbatohen për eksportet nga vendet e treta të kryera përpara kësaj date.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit sqaron se ngarkesat e mishit të shpendëve dhe të gjedhit me origjinë nga Brazili, për të cilat certifikata shëndetësore veterinare zyrtare është nënshkruar dhe/ose lëshuar përpara datës 3 shtator 2026, do të vijojnë të pranohen në Pikat e Kontrollit Kufitar, edhe në rast se këto ngarkesa mbërrijnë në territorin e Republikës së Shqipërisë pas datës 3 shtator 2026.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë monitorimin dhe zbatimin e kërkesave të legjislacionit në fuqi, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

 

The post Nga shtatori ndalohet mishi brazilian, reagom AKU: Përjashtohen ngarkesat e certifikuara më herët appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: