Ambasada e SHBA-së në Kosovë uron 18-vjetorin e Pavarësisë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Ndërsa Kosova shënon 18-vjetorin e pavarësisë së saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë 250-vjetorin e themelimit të tyre. Në këtë përvjetor të dyfishtë, Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve.

Në një postim në rrjete sociale, E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Annu Prattipati, thekson nëpërmjet një video mesazhi se dy vendet qëndrojnë të bashkuara për të ndërtuar një të ardhme të sigurt dhe prosperuese për Kosovën ndërsa e uron Kosovën në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Po ashtu, Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka uruar Kosovën për 18-vjetorin e shtetësisë, duke rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të SHBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, bëri të ditur Presidenca e Kosovës.

Në letrën e tij, Trump përgëzon Kosovën për pjesëmarrjen në Bordin e Paqes dhe për mbështetjen në përpjekjet e SHBA-së për zgjidhjen e sfidave globale, përfshirë situatën në Ukrainë, Gazë dhe vende të tjera.

“Teksa marrëdhënia mes dy vendeve vazhdon të rritet, ne mirëpresim zgjerimin e partneritetit përmes bashkëpunimit tregtar dhe investimeve. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë së bashku me Kosovën për të avancuar paqen dhe stabilitetin për të mirën e përbashkët”, thuhet mes tjerash në letër.

Që nga viti 1998, SHBA-ja ka ndarë mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën, duke mbështetur zhvillimin dhe stabilitetin e vendit.

The post Ambasada e SHBA-së në Kosovë uron 18-vjetorin e Pavarësisë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: