Në kulmin e garës së këtij viti në Festivalin e Sanremo-s, një reagim i shkurtër në rrjetet sociale ka rikthyer në qendër të vëmendjes një nga emrat më të mëdhenj të muzikës italiane. Adriano Celentano ka shprehur mbështetjen e tij të hapur për Ermal Metën, i cili konkurron me baladën “Stella stellina”.
“Bravo Ermal! Kënga jote është shumë e bukur. E ke kënduar aq mirë sa është pothuajse e pamundur që të mos fitosh”, shkroi Celentano, në një mesazh të drejtpërdrejtë që u shpërnda me shpejtësi në mediat italiane.
Fjalët e tij morën peshë të veçantë jo vetëm për autoritetin artistik që përfaqëson, por edhe për faktin se Celentano rrallëherë komenton publikisht mbi garat muzikore. Ndërhyrja e tij vjen në një edicion të Sanremo-s ku debatet dhe temat sociale kanë qenë pjesë e diskutimit publik.
Prej ditësh ishte përfolur edhe mundësia e një pranie të tij në skenën e teatrit Ariston, pas një ftese publike të bërë nga Rosario Fiorello në emisionin “La Pennicanza”. Megjithatë, kjo nuk u materializua. Mbështetja ndaj Metës, megjithatë, e bëri Celentano-n pjesë të debatit të festivalit, edhe pa qenë fizikisht në skenë.
Këngëtari reagoi menjëherë pas mesazhit, duke e cilësuar si një nder të madh vlerësimin e marrë. “Çfarë nderi, mjeshtër. Faleminderit”, shkroi Meta.
Si shenjë mirënjohjeje, ai publikoi më pas një video ku interpreton me kitarë “Acqua e Sale”, një nga këngët më të njohura të repertorit të Celentano-s.
“Stella stellina” trajton një temë të ndjeshme: fatin e fëmijëve të vrarë në Gaza. Kënga rrëfen historinë simbolike të një vajze të vogël palestineze pa emër, duke e kthyer atë në përfaqësuese të një tragjedie kolektive.
“Aysha, Amal, Layla, Nour, Hind… ç’rëndësi ka? Mund të jetë bija e askujt, bija e të gjithëve”, është shprehur Meta, duke theksuar se mungesa e një identiteti të vetëm synon të tregojë se dhimbja nuk i përket një individi, por një brezi të tërë.
Në skenën e Sanremo-s, artisti e ka përforcuar këtë mesazh përmes një simbolike të qartë: çdo mbrëmje ai ka mbajtur të qepur në veshje emrin e një vajze të ndryshme. Emri i parë ishte “Amal”, që në arabisht do të thotë “shpresë”.
Mbështetja e Celentano-s, në një garë ku çdo detaj mund të ndikojë perceptimin publik, shihet si një sinjal i fortë vlerësimi artistik dhe moral për Metën, në një nga edicionet më të diskutuara të viteve të fundit.
The post Ermal Meta merr mbështetjen e Adriano Çelenato-s: E pa mundur të mos e fitosh appeared first on Euronews Albania.
