Partitë shqiptare që përbëjnë koalicionin qeveritar VLEN në Maqedoninë e Veriut po shkojnë drejt bashkimit në një subjekt të vetëm politik. Procesi, sipas drejtuesve të koalicionit, ka hyrë në fazën përfundimtare dhe pritet të finalizohet brenda pak ditësh, duke bashkuar Lëvizjen Demokratike, Lëvizjen Besa, Aleancën për Shqiptarët dhe Alternativën në një parti të përbashkët, që synon përfaqësim më të unifikuar të shqiptarëve në skenën politike të vendit.
Njëri nga liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti, bëri të ditur se partitë përbërëse do të vazhdojnë për disa ditë të funksionojnë në formën aktuale, ndërsa më pas do të finalizohet bashkimi. Megjithatë, ai nuk dha detaje konkrete mbi udhëheqësinë ose modelin organizativ të partisë së re.
“Po punohet intensivisht, pra po shkojmë drejt finalizimit, mbrëmë e patëm edhe Kuvendin e LD-së, unanimisht u vendos të shkrihet, pra prioritet mbi prioritet është formimi, themelimi, funksionimi i VLEN-it dhe mendoj se në këtë frymë po shkohet drejt finalizimit, tash a do të jetë për 3 ditë, 1 javë apo 10 ditë, po jemi në finale”, tha Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike.
Mexhiti komentoi gjithashtu situatën brenda Aleanca për Shqiptarët, e cila është përballur me ndarje të brendshme, duke theksuar se për momentin më e rëndësishme është pjesëmarrja e të dy udhëheqësve të saj në procesin e bashkimit.
Nëse procesi përfundon sipas planit, VLEN do të transformohet nga një koalicion parazgjedhor në një parti të vetme politike, duke bashkuar disa prej subjekteve kryesore shqiptare në vend në një strukturë të përbashkët organizative.
“Sipas informacioneve jozyrtare që qarkullojnë në skenën politike, modeli më i përfolur për organizimin e partisë së re pritet të jetë ai i bashkëudhëheqjes, ku në krye të subjektit do të jenë dy kryetarët e partive kryesore të koalicionit – Bilall Kasami nga Lëvizja Besa dhe Izet Mexhiti nga Lëvizja Demokratike. Kryetarët e partive të tjera që janë pjesë e koalicionit pritet të marrin pozitat e nënkryetarëve të VLEN-it, ndërsa përfaqësuesi i Lëvizja Vetëvendosje pritet të mbajë postin e Sekretarit të Përgjithshëm të partisë së re”, thotë Ferikan Iljazi, gazetare e Euronews.
The post Koalicioni VLEN në Maqedoninë e Veriut drejt shkrirjes në një parti të vetme appeared first on Euronews Albania.
