Anulohet “Finalissima” mes Spanjës dhe Argjentinës

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

UEFA ka njoftuar zyrtarisht anulimin e ndeshjes “Finalissima”, ku do të përballeshin Spanja, kampione e Euro 2024, dhe Argjentina, fituese e Copa América 2024. Takimi ishte planifikuar të zhvillohej më 27 mars në stadiumin “Losail” në Katar, por u pezullua për shkak të situatës aktuale politike në rajon.

Pas pamundësisë për ta zhvilluar ndeshjen në Katar, UEFA kërkoi alternativa për organizimin e saj, por të gjitha propozimet u refuzuan nga Federata Argjentinase e Futbollit. Fillimisht u propozua që ndeshja të luhej në “Santiago Bernabéu” në Madrid në datën e parashikuar, me ndarje të barabartë të biletave për tifozët e të dyja skuadrave, por kjo ide u hodh poshtë nga pala argjentinase.

Më pas u diskutua mundësia e një finaleje me dy ndeshje, një në Madrid më 27 mars dhe një tjetër në Buenos Aires përpara turneut kontinental të vitit 2028, por edhe ky opsion u refuzua. Si zgjidhje të fundit, UEFA kërkoi që Argjentina të pranonte të luante në një vend neutral në Evropë më 27 ose 30 mars, por përgjigjja ishte sërish negative.

Nga ana tjetër, Argjentina propozoi që ndeshja të zhvillohej pas Kupës së Botës, gjë që rezultoi e pamundur për shkak të mungesës së datave të lira në kalendarin e Spanjës. Më pas, ajo deklaroi se ishte e disponueshme vetëm më 31 mars, datë që nuk ishte e realizueshme për organizatorët.

Pas anulimit të “Finalissima”-s, Federata Spanjolle e Futbollit ka gjetur një kundërshtar të ri për dritaren ndërkombëtare të marsit. Spanja do të përballet me Serbinë më 27 mars, ndeshje që është konfirmuar edhe nga Federata Serbe e Futbollit.

The post Anulohet “Finalissima” mes Spanjës dhe Argjentinës appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: