Shembja e kantierit në Vjenë merr jetën e 4 punëtorëve, tre prej tyre shqiptar nga Kosova (Emrat)

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Një aksident i rëndë ka ndodhur në një kantier ndërtimi në Vjenë, ku katër persona kanë humbur jetën si pasojë e shembjes së një pjese të konstruksionit. Ngjarja ndodhi në distriktin Alsergrund, ku punëtorët u zunë poshtë nga struktura që u rrëzua gjatë punës.

Incidenti ndodhi në orarin e punës, kur skelat e ndërtimit u shembën papritur, duke shkaktuar rënien e disa punëtorëve në oborrin e një ndërtese të vjetër. Tre prej viktimave ishin me origjinë nga Kosova, Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj, të cilët gjetën vdekjen e menjëhershme. Viktima e katërt ishte një punëtor tjetër, identiteti i të cilit ende nuk është bërë publik.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri ka konfirmuar se tre prej viktimave janë shqiptarë nga Kosova. Autoritetet austriake kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit tragjik dhe për të përcaktuar përgjegjësitë. Ngjarja ka tronditur komunitetin shqiptar në Austri dhe ka sjellë reagime të shumta ngushëllimi për familjet e viktimave.

Asllan Musliu ishte edhe veteran i UÇK-së, kurse lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë publike familjarët dhe miqtë përmes njoftimeve mortore në rrjetet sociale. Ai gjatë luftës së fundit në Kosovë ishte pjesë e Drejtimit taktik nr 2 të operacionit “ Shigjeta.

Zjarrfikësit raportuan se operacionet e shpëtimit ishin jashtëzakonisht të vështira për shkak të oborrit të ngushtë dhe rrënojave të shumta. Niveli i alarmit u rrit në shkallën 2, duke kërkuar mobilizimin e forcave shtesë. Rreth 120 efektivë me 30 automjete të zjarrfikësve dhe mbrojtjes civile u angazhuan në vendngjarje.

Për të arritur tek punëtorët e bllokuar, ekipet u detyruan të krijonin hyrje të reja, duke hequr gardhe e dyer, si dhe duke larguar pjesët e skelës së shembur dhe armaturat e hekurta. Veçanërisht i vështirë ishte largimi i betonit ende të lëngshëm, i cili u krye me dorë.

Pas dy orë e gjysmë ndërhyrjesh intensive, trupat e katër punëtorëve u nxorën nga rrënojat, por fatkeqësisht të gjithë u konstatuan të vdekur.

 

The post Shembja e kantierit në Vjenë merr jetën e 4 punëtorëve, tre prej tyre shqiptar nga Kosova (Emrat) appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: