Papa Leo XIV gjatë meshës së Premtes së Madhe ka ngritur kryqin prej druri, gjatë të katërmbëdhjetë stacioneve të ceremonisë. Është hera e parë që ka ndodhur në gjashtëdhjetë e një vitet e fundit.
Papa Benedikti dhe Gjon Pali II e kishin ngritur Kryqin, vetëm gjatë stacionit të parë dhe të fundit të ceremonisë, ndërsa Françesku, vitet e fundit, ka qenë duke ndjekur “Rrugën e Kryqit” nga Vatikani, për shkak të problemeve të tij shëndetësore.
Në meditimet e lexuara gjatë Rrugës së Kryqit, Papa foli lidhur me luftën në Lindjen e Mesme dhe Tokës së Shenjtë. Siç u njoftua nga Vatikani, gjatë ndalesës së parë, ai tha disa njerëz mendojnë se kanë marrë pushtet të pakufizuar dhe besojnë se mund ta përdorin dhe abuzojnë atë, varësisht nga vullneti i tyre.
“Çdo autoritet do të duhet t’i përgjigjet Zotit për mënyrën se si e ushtron pushtetin që ka marrë: pushtetin për të gjykuar, por edhe pushtetin për të filluar ose përfunduar një luftë.
Pushtetin për të mbështetur edukimin e luftës ose të paqes, për të ushqyer dëshirën për hakmarrje ose pajtim. Pushtetin për të përdorur ekonominë për të shtypur popujt ose për t’i çliruar ata”, tha ai.
The post Mesazhi nga Vatikani: Çdo autoritet do t’i japë llogari Zotit për mënyrën se si e ushtron pushtetin që ka marrë appeared first on Euronews Albania.
