Kryetarja e Komisionit të Kulturës Ina Zhupa i është drejtuar zyrtarisht Institutit të Trashëgimisë Kulturore Kombëtare me një kërkesë për informacion të detajuar lidhur me zhvillimet ndërtimore pranë Vilës verore të Mbretit Zog në Durrës.
Zhupa kërkon transparencë mbi çdo leje dhe projekt, statusin aktual të mbrojtjes së objektit, si dhe masat konkrete për ruajtjen e tij, duke theksuar gjithashtu nevojën që vila të përfshihet në listën e monumenteve të trashëgimisë kulturore, pavarësisht çështjeve të pronësisë.
“Nisur nga shqetësimet publike mbi ndërtimet e reja shumëkatëshe tek vila verore e Mbretit Zog në Durrës, i jam drejtuar zyrtarisht Institutit të Trashëgimisë Kulturore Kombëtare me një kërkesë për informacion të detajuar.
Kjo vilë përfaqëson një ansambël me vlera të rëndësishme historike, arkitekturore dhe politike, ndaj çdo ndërhyrje në zonën përreth saj apo aq më keq tek ajo vetë duhet të trajtohet me përgjegjësi të lartë dhe transparencë të plotë. Kam kërkuar sqarime mbi çdo projekt ndërtimi, miratimet përkatëse, statusin aktual të mbrojtjes, si dhe masat e marra për ruajtjen e integritetit të këtij objekti.
Është e nevojshme që kjo pasuri të përfshihet në listën e monumenteve të trashëgimisë kulturore, pavarësisht pronësisë private”, shprehet Zhupa.
The post Ndërtimet te Vila e Zogut, PD: Duhet të përfshihet në listën e monumenteve të trashëgimisë kulturore appeared first on Euronews Albania.
