Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar dënimin maksimal, burgim të përjetshëm, për tre të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, duke theksuar se të gjitha provat e paraqitura gjatë procesit gjyqësor vërtetojnë fajësinë e tyre.
Në fjalën përfundimtare, prokurorja e rastit, Javorka Perlinqeviq, deklaroi se provat e mbledhura dëshmojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.
Sipas Prokurorisë, gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është evidentuar asnjë rrethanë lehtësuese në favor të të akuzuarve. Përkundrazi, është vënë në pah rëndësia e veçantë e krimit, mënyra e kryerjes së tij, si dhe sjellja e të akuzuarve pas ngjarjes, përfshirë përpjekjet për manipulim dhe ndikim në opinionin publik.
Në përfundim, Prokuroria i propozoi gjykatës që të shpallë fajtorë të akuzuarit dhe, duke marrë parasysh natyrën dhe rrethanat e krimit, si dhe mungesën e çdo rrethane lehtësuese, të shqiptojë ndaj tyre dënimin maksimal për vrasje të rëndë, burgim të përjetshëm.
Gjatë fjalës përfundimtare, ky rast u cilësua si një nga krimet më makabre, i kryer me egërsi dhe dinakëri. Sipas prokurores Perlinqeviq, vrasja e ndodhur më 29 nëntor 2023 është kryer në prani të dy fëmijëve të mitur të viktimës, të cilët në atë kohë ishin vetëm 4 dhe 6 vjeç.
Prokuroria theksoi se ky fakt e rëndon edhe më shumë natyrën e krimit dhe pasojat e tij të rënda psikologjike.
Gjithashtu, gjatë procesit gjyqësor janë përmendur dëshmi që lidhen me gjendjen e fëmijëve pas ngjarjes. Sipas dëshmisë së vëllait të viktimës, Leonard Ademaj, fëmijët kanë përjetuar traumë të thellë dhe kanë refuzuar kontaktin me babanë e tyre, Naim Murselin, duke shmangur edhe komunikimet telefonike të mundësuara nga institucionet përkatëse në Suedi.
The post Vrasja e Liridona Ademajt, prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe dy bashkëpunëtorët appeared first on GIJOTINA.
