Ambasadori i Indisë nga Pogradeci: Do të sjellim edhe më shumë indianë në Shqipëri

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Teksa shqiptarët çdo ditë e më shumë zgjedhin rrugën e kurbetit për shkak të mungesës së një të ardhmeje të sigurt ekonomike në Shqipëri, vendi duket se po hap gjithnjë e më shumë dyert për fuqi punëtore të huaj. Ndër popujt e huaj që duan të vijnë të punojnë në Shqipëri janë edhe indianët, të cilët pritet të shtohen ndjeshëm në tregun shqiptar të punës.

Nga Pogradeci, ambasadori i Indisë në Shqipëri, Ravindra Prasad Jaiswal, ka deklaruar se po diskutohet një marrëveshje me qeverinë shqiptare për rekrutimin e punonjësve indianë. Sipas tij, aktualisht rreth 1200 shtetas indianë janë të punësuar në vend, ndërsa pritet një rritje e mëtejshme e numrit në muajt dhe vitet në vijim, si rezultat i interesit në rritje për tregun shqiptar.

Diplomati theksoi se pas liberalizimit të vizave, Shqipëria është kthyer në një destinacion gjithnjë e më të frekuentuar nga shtetasit indianë, me dhjetëra mijëra hyrje vetëm gjatë vitit të kaluar. Ai shtoi se punëtorët indianë vlerësohen për disiplinën dhe përshtatshmërinë, duke u parë si një burim i rëndësishëm për nevojat e tregut të punës në Shqipëri.

Në këtë mes, shteti shqiptar po përballet me paradoksin e largimit të vazhdueshëm të qytetarëve të vet, ndërsa përpiqet të plotësojë boshllëqet e krijuara me fuqi punëtore të huaj, duke ndryshuar gradualisht edhe profilin e tregut të brendshëm të punës, por jo vetëm pasi po ndryshon edhe vetë ekuilibri kulturor dhe shoqëror, në një realitet ku mungesa e punës në vend po zëvendësohet me praninë e të huajve.

The post Ambasadori i Indisë nga Pogradeci: Do të sjellim edhe më shumë indianë në Shqipëri appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: