FSK drejt Gazës, Haxhiu jep autorizimin pas votimit në Kuvendi i Kosovës

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka autorizuar dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gazë, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.

Ky autorizim vjen pasi Kuvendi më 17 prill miratoi kërkesën e Qeverisë që FSK-ja të marrë pjesë në operacion paqeruajtës.

Haxhiu në një postim në Facebook tha se Kosova, nga një vend që kishte nevojë për mbështetjen e të tjerëve, tani jep kontribut në skenën ndërkombëtare.

“Pjesëmarrja në misione të tilla dëshmon pjekurinë shtetërore të Republikës sonë dhe vendin që Kosova po e forcon çdo ditë në arenën ndërkombëtare”, shkroi ajo.

Më 30 mars, Qeveria e miratoi propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e pjesëtarëve të FSK-së në Gazë.

Dërgimi i trupave të FSK-së parashihet të bëhet në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, që është një mekanizëm i krijuar si pjesë e nismës së Bordit të Paqes, i propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.

Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në këtë mision, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

Megjithatë, ende nuk dihet se kur saktësisht do të ndodhë dislokimi i trupave dhe sa do të jetë numri i tyre.

gijotina.com/

The post FSK drejt Gazës, Haxhiu jep autorizimin pas votimit në Kuvendi i Kosovës appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: