Gjykata Themelore në Prishtinë pritet të shpallë sot vendimin ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, më 29 nëntor 2023.
Në fjalët përfundimtare në gjyqin ndaj tyre, Prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm për ta, duke pretenduar se vrasja e 30-vjeçares, bashkëshorte e Murselit, ishte kryer në mënyrë të planifikuar.
Duke kundërshtuar akuzat e Prokurorisë, avokatët e të akuzuarve thanë se nuk ka prova të drejtpërdrejta se Murseli, Plava dhe Kokalla kanë kryer veprat penale.
Vëllai i Ademajt ka kërkuar burgim të përjetshëm për Murselin, Kokallën dhe Plavën, duke thënë se vrasja ishte e organizuar nga të akuzuarit dhe e ka lënë familjen në dhimbje të madhe.
Çfarë thanë para gjyqit Naim Murseli dhe të tjerët?
Në të dy deklarimet për akuzat që e ngarkojnë, Murseli ka mohuar fajësinë për vrasjen e Ademajt, duke thënë se nuk ka paguar, porositur apo ndihmuar në vrasjen e bashkëshortes së tij.
Ai pretendon se natën kritike familja ishte përballur me një grabitje, dhe se ai nuk ka qenë në veturë në momentin e vrasjes, duke e quajtur çdo akuzë ndaj tij si të pavërtetë.
The post Gjykata në Kosovë vendos sot për të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt appeared first on Euronews Albania.
